Kryetari i Komunës së Lyonit hoqi mishin nga menytë e mensave të shkollave

Qeveria franceze ka kritikuar kryetarin e qytetit të Lyonit, anëtar të Partisë së Gjelbër, Gregory Doucet pasi vendosi që pjatat me mishit më nuk do të shërbehen për nxënësit e shkollave.
Kryetari i qytetit francez u gjend në qendër të një debati të madh në Francë pasi hoqi mishin nga menyja e shkollës.
Ai mbrojti vendimin, duke thënë se menytë do të kenë produkte të peshkut dhe vezëve dhe se ato do të jenë të ekuilibruara për të gjithë fëmijët, raporton bbc.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, tha se masa ishte një "fyerje e papranueshme" për fermerët dhe kasapët francezë.
“Ne shohim se politika moraliste dhe elitare e të Gjelbërve përjashton klasat e ulëta. Shumë fëmijë shpesh hanë mish vetëm në kuzhinën e shkollës”, shtoi ai.
Lyon është i njohur për kuzhinën e orientuar drejt mishit dhe zakonisht konsiderohet si kryeqyteti i kuzhinës franceze.
Sidoqoftë, tendenca e dietave vegane dhe vegjetariane është në rritje në Francë.
Një ligj i miratuar në 2018 kërkoi që shkollat të kishin një ditë vegjetariane, dhe restoranti vegan "Ona" u bë i pari i këtij lloji në Francë që mori një yll Michelin në fillim të këtij viti. /Telegrafi/





















































