Ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, ka mohuar pretendimet e kryetarit aktual, Zoran Todiq, se komuna është gjetur në gjendje të keqe.

Todiq ka shpërndarë në Facebook një video ku shihen disa parregullësi, derisa pretendohet se aty kanë gjetur edhe mbishkrimin “ROSU” – (Njësia Speciale e Kosovës).


Por, Hetemi ka deklaruar për KosovaPress se administrata komunale është dorëzuar në gjendje të rregullt dhe funksionale.

“Nuk është e vërtetë, absolutisht. Komuna është në gjendje të rregullt, funksionon dhe ka funksionuar. Çfarë kanë bërë ata më pas është përgjegjësi e tyre”, ka thënë ai.

Hetemi ka bërë të ditur se ish-nënkryetarja e komunës, së bashku me ish-drejtorin Alban Uka, kanë tentuar të kryejnë procesin e pranim-dorëzimit me kryetarin e ri, por sipas tij, kjo është refuzuar nga pushteti aktual.“Ish-nënkryetarja dhe ish-drejtori Alban Uka kanë shkuar tek kryetari aktual për të bërë pranim-dorëzimin, mirëpo kjo është refuzuar nga ana e tyre”, ka deklaruar Hetemi.

I pyetur nëse kryetari i ri ka shkarkuar drejtorët e emëruar nga ai, Hetemi u përgjigj se ata janë larguar vetë pas betimit të kryetarit të ri.

“Ne nuk e dimë. Dimë vetëm se në momentin kur është bërë betimi, unë bashkë me drejtorët kemi dalë. Nuk e dimë se çfarë janë duke bërë ata, sepse ende nuk e kanë kryer pranim-dorëzimin”, ka theksuar ai.

Ndërkaq edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Ridvan Emini thotë për KosovaPress se kryetarët e rinj në veri të Kosovës të cilët tani janë nga Lista Serbe, e veçanërisht kryetari i sapobetuar Zoran Tadiq po pretendon se ka gjetur komunën në ‘gjendje jo të mirë’ duke konsiderua për vandalitet nga kryetari paraprak dhe mungesë të dokumentacionit zyrtar e kështu me radhë, krejt kjo është pjesë e propagandës së madhe Serbe të Beogradit për demonizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për çka ne si institut në vazhdimësi kemi reaguar për to.

“Gjatë këtij viti një demonizim i tillë kishte ardhur në drejtim të policisë së Kosovë për gjoja diskriminim ndaj serbëve lokal, mirëpo kjo është fakti edhe nga institucionet e Kosovës edhe nga ato ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë se nuk qëndron dhe si e tillë është vetëm puro propagandë. Tani i njëjti avaz po vazhdon ndaj ish kryetarëve komunal kinse për vandalitet e mungesë administrimi, pra është një pjesë e pjesës së madhe për de-legjitimimin e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të vendit”, theksoi Emini.

Në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, kryetarët e rinj të cilët vijnë nga Lista Serbe kanë marrë zyrtarisht detyrat të premten e 5 dhjetorit.