Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, është ftuar të paraqitet në Gjykatën e Mitrovicës nesër, më 04.03.2026, në cilësinë e të pandehurit.

Radojeviq do të dëgjohet lidhur me kundërvajtjen – mospërfillja e urdhrave të ligjshëm.


Lajmin e konfirmoi Hateme Haxhaj, zëdhënese e Gjykatës.

“Personi M.R. është ftuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm/Divizioni për Kundërvajtje, në cilësinë e të pandehurit, për të marrë pjesë në seancën gjyqësore”- tha ajo më 03.03.2026.

Detaje lidhur me këtë rast ka dhënë zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

Baneri që ka qenë i planifikuar të vendoset – Foto: Policia e Kosovës

“Ka qenë për mosrespektim të urdhrave të policit. Kur i ka thënë polici ta largojë banerin, nuk e ka larguar. E kemi marrë, e kemi dërgu në stacion, e kemi larguar banerin. I kemi shqiptuar tiketë. Ka dashur ta vendosë në një ndërtesë afër shtatores së Car Llazarit”- ka thënë Elshani më 27.02.2026.

Sipas tij, fillimisht vendosja e banerit u kundërshtua nga Policia e Kosovës për faktin se krahas thirrjes fetare përmbante ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe mbishkrimin “Lista Serbe”.

Ndërkaq kur kjo çështje u rregullua, baneri iu kthye përsëri.

“Ka pasur thirrje fetare. Mirëpo kur kanë dashur ta vendosin fillimisht për neve ka qenë diskutabil. Ka pasë ngjyra të flamurit serb, ka shkruar Lista Serbe. E kemi marrë, e kemi dërguar për interpretim te Ministria e Pushtetit Lokal dhe ata kanë thënë priteni vendimin tonë. Ata e kanë dërguar kërkesën në Ministri. Kur e kanë bërë kërkesën, e kanë vendosur pa këtë ‘Listën Serbe’ poshtë sepse ka pasur lidhje për parti politike dhe ngjyrat e flamurit serb. Kur e kanë aprovuar Ministria, ata e kanë vendosur banerin. Ne ua kemi kthyer banerin sepse ua kemi konfiskuar” – potencoi Elshani.

Baneri i vendosur pas aprovimit të ministrisë- Foto: Policia e Kosovës

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, ka thënë se pankarta është vendosur për nder të Ditës së Krishlindjeve.

“Mora një thirrje nga Gjykata në lidhje me raportimin ironik për vendosjen e një pankarte në Ditën e Krishtlindjes. Unë do t’i përgjigjem kësaj thirrjeje dhe pankarta do të vendoset sërish për Krishtlindjet e ardhshme”- thuhet në reagimin e Radojeviqit.

Seanca do të mbahet më 04.03.2026, në orën 10:30.

Millan Radojeviq, anëtar i Listës Serbe, ka bërë betimin si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut më 05.12.2025, raporton Kallxo.

- YouTube www.youtube.com