Komuna e Deçanit ka raportuar se reshjet e vazhdueshme të shiut kanë krijuar rrezik në disa zona, ndërsa ekipet emergjente kanë qenë të angazhuara pa ndërprerje në terren. Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët.

“Për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut është krijuar një situatë e cila paraqet rrezik në disa zona, mirëpo ekipet e emergjencës së Komunës së Deçanit kanë qenë pandërprerë në terren, veçanërisht në Carrabreg të Ulët, Prilep, Baballoq, Ratishë të Ulët, Dubovik dhe në qytet”, tha Ramosaj.


Ai ka theksuar se gjendja aktuale nuk është shqetësuese, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Sipas tij, kompanitë dhe njësitë komunale janë të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme:

“Kompania ‘Lika Trade’, e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ka intervenuar në pikat problematike, ndërsa NPL ‘Higjiena’, Njësia e Zjarrfikësve dhe kompania ‘Hidrodrini’ janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme”, shtoi kryetari.

Ramosaj gjithashtu ka paralajmëruar se reshjet pritet të vazhdojnë.

“Sipas parashikimeve meteorologjike, pritet të ketë reshje të tjera shiu, të cilat mund ta vështirësojnë gjendjen, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjen në zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo problem apo rrezik të mundshëm tek autoritetet komunale. Komuna e Deçanit mbetet në shërbim dhe pranë qytetarëve në çdo moment”, përfundoi Ramosaj. /Telegrafi/