Mospajtimet ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe kompanisë "Pastrimi" kanë bërë që ditëve të fundit kryeqyteti të 'mbulohet' nga mbeturina.

"Pastrimi" ka ndërprerë grumbullimin e mbeturinave për shkak të borxheve nga ana e Komunës, e kjo e fundit thotë se nuk e ka asnjë cent borxh.


Mbeturina të shumta janë parë edhe sot rrugëve të lagjeve të ndryshme, pasi askush nuk ka dalë t’i largojë.

Kryetari Përparim Rama kishte paralajmëruar ditë më herët në Facebook se do të fillojnë me largimin e mbeturinave pas ndërprerjes së shërbimeve nga ana e Pastrimit, por nuk ka theksuar se kush do të angazhohet në këtë drejtim.

Ndërkohë, Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A. sot përmes një reagimi publik thekson se është thellësisht shqetësuese qasja e Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes publike, e cila është në pronësi të saj.

Në reagimin e tyre thuhet se borxhet e komunës ndaj tyre vazhdojnë të mbesin të papaguara, transmeton Telegrafi.

“Edhe pas disa paralajmërimeve dhe kërkesave zyrtare për të përmbushur obligimet financiare ndaj nesh, borxhet e Komunës ndaj KRM 'Pastrimi' vazhdojnë të mbesin të papaguara. Për më tepër, përkundër ftesave të shumta për takim dhe përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, Kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Bestrovci, kanë zgjedhur të injorojnë ndërmarrjen publike dhe të negociojnë në mënyrë të njëanshme me operatorë privatë”, thuhet në reagimin e tyre. /Telegrafi/