Kryeministrja daneze: Mund të negociojmë gjithçka për Grenlandën, përveç integritetit territorial

Danimarka dëshiron të vazhdojë “dialogun konstruktiv me aleatët e saj” në lidhje me sigurinë e Groenlandës dhe Arktikut, por duke respektuar “integritetin e saj territorial”, tha kryeministrja Mette Frederiksen në përgjigje të kërcënimeve nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
"Siguria në Arktik është një çështje për të gjithë aleancën e NATO-s. Prandaj, është mirë dhe e natyrshme që kjo të diskutohet edhe midis Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara. Mbretëria e Danimarkës ka punuar prej kohësh që NATO të rrisë angazhimin e saj në Arktik”, ka shtuar ajo, transmeton Telegrafi.
"Qeveria daneze ka koordinuar përpjekjet tona me qeverinë e Grenlandës, Naalakkersuisut gjatë gjithë procesit. Ne kemi qenë në dialog të ngushtë me NATO-n dhe kam folur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në mënyrë të vazhdueshme, duke përfshirë si para ashtu edhe pas takimit të tij me presidentin Trump në Davos”, ka theksuar ndër tjera Frederiksen.
"NATO është plotësisht në dijeni të qëndrimit të Mbretërisë së Danimarkës. Ne mund të negociojmë për gjithçka politike; sigurinë, investimet, ekonominë. Por ne nuk mund të negociojmë për sovranitetin tonë. Jam informuar se as ky nuk ka qenë rasti. Dhe sigurisht, vetëm Danimarka dhe Grenlanda vetë mund të marrin vendime për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Grenlandën”, shtoi ndër tjera liderja daneze.
Sipas saj, Mbretëria e Danimarkës dëshiron të vazhdojë të angazhohet në një dialog konstruktiv me aleatët se si mund ta forcojnë sigurinë në Arktik, duke përfshirë Kupolën e Artë të SHBA-së, me kusht që kjo të bëhet me respekt për integritetin tonë territorial. /Telegrafi/





















































