KRU “Mitrovica” ka njoftuar se dje ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të shërbimeve për konsumatorët.

Marrëveshja përfshin fusha kyçe, duke përfshirë ndërtimin e kapaciteteve institucionale, trajnime profesionale, avancimin e procedurave dhe rregulloreve të brendshme, zhvillimin e burimeve njerëzore, si dhe ofrimin e mbështetjes ligjore.


Ajo gjithashtu parashikon organizimin e sesioneve informuese dhe aktiviteteve të ndërveprimit me komunitetin, për të rritur transparencën dhe për të përmirësuar komunikimin me palët e interesit.

Ky bashkëpunim konsiderohet një partneritet strategjik që synon zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e shërbimeve publike, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Mitrovicës. /Telegrafi/