KRU “Hidrodrini” u bën thirrje konsumatorëve të nënshkruajnë kontratat e shërbimit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU Hidrodrini në Pejë u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve në zonën e saj të shërbimit që të rregullojnë marrëdhënien kontraktuale për furnizimin me ujë dhe shërbimet e kanalizimit.
Sipas menaxhmentit rajonal të kompanisë, shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit ofrohen mbi bazën e kontratës së shërbimit me konsumatorin dhe janë të vlefshme për të gjithë banorët në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Nga kjo kompani është bërë e ditur se për vazhdimin e furnizimit sipas rregullave në fuqi, konsumatorët duhet të kenë të rregulluar kontratën e shërbimit me ujësjellësin.
“Nënshkrimi i kontratës është i domosdoshëm për vazhdimin e furnizimit me ujë dhe shërbimet e kanalizimit sipas rregullave në fuqi”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Tutje theksohet se mosnënshkrimi i kontratës konsiderohet si refuzim i shërbimeve të ofruara nga kompania e ujësjellësit. /Telegrafi/





















































