KRU “Hidrodrini” ndërmerr aksion çkyçjeje ndaj konsumatorëve borxhlinj në Pejë dhe Vitomiricë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A. – Pejë ka zhvilluar një aksion në terren për çkyçjen e konsumatorëve që kanë borxhe të pashlyera ndaj ndërmarrjes.
Sipas njoftimit të kompanisë, aksioni është realizuar në disa zona të qytetit të Pejës, përfshirë B.T. “Kristali”, fshatin Qyshk dhe rajonin e Vitomiricës. Çkyçjet janë bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregullat e kompanisë.
“Hidrodrini” ka bërë të ditur se inspektorët janë të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme, në të gjitha oraret, përfshirë edhe fundjavat, me qëllim të zbatimit të rregullit dhe disiplinës në pagesat për shërbimin e ujësjellësit.
Në njoftim, kompania ka apeluar për ndërgjegjësim të qytetarëve lidhur me pagesat e rregullta të faturave: “Uji është jetë — ta ruajmë, ta paguajmë dhe ta përdorim racionalisht”. /Telegrafi/

















































