Krizat parlamentare në botë: Ja si e “tejkaloi” Maqedonia në vitin 2012 (Video)

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, dje në televizionin publik ka thënë se ky është një model rus, e disa të tjerë kanë marr shembull Korenë Jugore.
Ndërsa, të tjerë kanë para analogji edhe mes situatës në vitin 2000 në Kuvendin e Shqipërisë.
Një model tjetër interesant sesi është zgjidhur një krizë parlamentare, padyshim që është edhe modeli maqedonas, raporton Republika.info.
Në një raport të gjatë të agjencisë “Reuters” të vitit 2012, thuhet se opozita në atë kohë në Maqedoni ishte nxjerr në rresht nga Parlamenti për shkak të sherrit të deputetëve, duke u zotuar ta bojkotojnë seancën dhe të fillojnë një fushatë të mosbindjes civile pas një mosmarrëveshjeje të nxehtë që kishin rreth buxhetit të vitit të ardhshëm.
Pra, ndryshe prej rastit të Kosovës, në Maqedoni Policia ishte përdor për të larguar deputetët e opozitës prej sallës, të cilët mbanin të bllokuar parlamentin. Incidenti kishte ndodhur pasi mijëra demonstrues pro dhe kundër qeverisë ishin përleshur jashtë Parlamentit në Shkup, duke e detyruar qeverinë ta shtyjë votimin në favor të propozimeve të saj të kontestuara buxhetore, në të cilën morën pjesë vetëm gjysma e anëtarëve të parlamentit.
E, derisa deputetët e opozitës ishin përleshur me ata të pushtetit, në përpjekje për të parandaluar debatin mbi buxhetin, rojet e sigurisë kishin evakuuar nga salla plenare kryetarin e parlamentit, Trajko Veljanovskin. Për ngjarjen e ndodhur në Kuvendin e Maqedonisë, kreu i opozitës në atë kohë, i sociademokratëve, Branko Crvenkovski, kishte akuzuar Qeverinë nga qendra e djathtë e Nikolla Gruevskit për pezullimin e demokracisë.
“Nga sot, Maqedonia nuk ka Kushtetutë, nuk ka Parlament, nuk ka Qeveri. Ne kemi një regjim diktatorial në njërën anë, dhe kemi popullin në anën tjetër”, kishte thënë Crvenkovski. “Nga nesër ne do të fillojmë fushatën e mosbindjes civile”, i kishte thënë ai një turme njerëzish, pa dhënë detaje të tjera.
Kurse, jashtë Parlamentit, Policia ishte dashur të ndërhyjë për të ndarë mbështetësit pro dhe kundër qeveritarë, të cilët sulmuan njëri-tjetrin me shishe dhe me gurë.
Sikurse tash në Kosovë, edhe ato zhvillime në Kuvendin e Maqedonisë ishin cilësuar si veprime primitive të disa politikanëve që nuk e pranojnë demokracinë e pluralizmin si vlerë në jetën politike dhe që nuk i pranojnë normat ligjore dhe nuk luajnë brenda rregullave të lojës politike.
Telegrafi ju sjell më poshtë një përmbledhje të përleshjeve në parlamente të shumta të Botës. /Republika/Telegrafi/

















































