Kriza financiare në Telekomin e Kosovës është thelluar edhe më tej që prej ndërhyrjes në llogaritë bankare të kësaj kompanie nga ana e ATK-së, e cila ia tërhoqi 630 mijë euro si borxh.

Telekomi përveç që ende nuk ka realizuar pagat e muajit tetor për të gjithë punonjësit e kësaj kompanie publike, po shqyrton mundësinë e marrjes të një vendim për të zvogëluar të gjitha pagat për të nxjerrë Telekomin nga kriza.

Demir Limaj nga menaxheri bëhet këshilltarë i kryeshefit  i cili deri më tani ka marrë 4 mijë e 450 euro në muaj, ndërsa nga dhjetori me ligjin për paga, do ta ketë pagën 1 mijë e 673 euro.

Përfitimet financiare që do t’i ketë Telekomi me numrat e Z-Mobilet do të jenë rreth 1.2 milion euro në vit, thotë  kryeshefi ekzekutiv në Telekomin e Kosovës, Bedri Istrefi.

Istrefi thotë se stafi dhe sindikatat pothuajse janë pajtuar që të sakrifikojnë edhe pagat e tyre për një periudhë të caktuar për të mos rënë shërbimet në Telekom. Derisa paralajmëron se nga dhjetori për menaxhmentin do të ketë ulje drastike të pagave.

Istrefi thotë se pas dështimit të arritje së një garancioni bankar nga Qeveria, janë të detyrueshëm që bashkërisht me sindikatat të gjejnë forma e modalitete për mundësinë më të mirë të mundshme që këtë obligim financiar prej 6.9 milionë euro karshi një operatori ekonomik ndërkombëtar (Nokia) për implementimin e ‘country code’, për zgjerim dhe avancim të rrjetit, implementimin e kontratës së mirëmbajtjes dhe ligjit të përgjimit.

“Negociata me sindikatën, me punëtorët dhe me aq sa më ka ra me pasur kontakte edhe me punëtorët, thuajse se numër i madh i tyre janë në gjendje që edhe pagat e tyre t’i sakrifikojnë dhe mos të vjen deri te rënia e shërbimeve, dhe mos të rrezikojmë edhe të gjitha pagat për punëtorët. Ne të gjitha të hyrat financiare të cilat i kemi, janë prej shërbimeve që i ofron Telekomi i Kosovës dhe ato për momentin gjenden në një situatë jo të mirë, për arsye se jemi duke hyrë në vitin e katërt dhe ne nuk kemi ende kontratë të mirëmbajtjes”, deklaron Istrefi.

Përveç këtyre problemeve, Telekomi sërish do të përballet me një arbitrazh nga ‘Z-mobile’(Dardafon), e që detyron Telekomin të ndaj një shumë të madhe të mjeteve për t’u mbrojtur.

Për gjendjen e krijuar pas padisë që ‘Z-mobile’ ka ushtruar në Arbitrazh për 13.5 milionë euro dëmshpërblim, kryeshefi Bedri Istrefi, pohon se Telekomi do të përfaqësohet në Arbitrazh nga një ndër dhjetë kompanitë më serioze ndërkombëtare që është në proces të përzgjedhjes, por nuk tregon shumën e mjeteve që do ta ndahen për këtë kompani.

“Jemi në fazën procesit të prokurimit. Janë duke përfunduar proceset për ofertat ndaj këtyre operatorëve apo këtyre kompanive ndërkombëtare.  Mirëpo duke pasur parasysh tregun aktual, hulumtimet të cilat i kemi bërë, kemi ndarë buxhet të konsoliduar dhe mjaftueshëm në këtë rast, në mënyrë që të arrijmë t’i mbrojmë interesat e Telekomit dhe të Kosovës. Shpresoj dhe i siguroj edhe qeverinë, edhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që vendimet të cilat ne i kemi marrë në raport me Dardafonin kanë qenë vendime të bazuara në baza ligjore dhe ato financiare. Ndaj, vendimet që i kemi marrë do të mbrohen në arbitrazh dhe do dëshmohen që kemi pasur të drejtë që t’i marrim këto vendime dhe do ta fitojmë si proces”, thotë ai për KosovaPress.

Kryeshefi Bedri Istrefi duke folur për vendimin e më hershëm të arbitrazhit prej 25 milionë euro, thotë se Telekomi është në proces për të parandaluar bllokimin e llogarive të kompanisë nga përmbaruesit.  Deri më tani borxhet e kësaj kompanie ndaj ATK-së, ishin 2.8 milionë euro, ndërsa borxhet e tërësishme arrijnë mbi 30 milionë euro.

“Ne  kemi pranuar si borxh të tillë, është vendim i Arbitrazhit, nuk e kemi kontestuar. Gjatë negociatave që kemi pasur ne kemi bërë edhe një propozim mbi kryerjen e këtyre obligimeve financiare me të cilin Dardafoni nuk është pajtuar, nuk ka pranuar dhe si të tillë vendosën që gjatë këtij procesi sa ishim ne duke zhvilluar negociatat me Dardafonin, ta dërgojnë në përmbarim, ku ne pastaj kemi bërë prapsim dhe është procesi në gjykatë. Jemi duke vëzhguar për së afërmi situatën. Po besoj që do të arrijmë të menaxhojmë dhe ta krijojmë një mundësi të kryerjes së këtyre obligimeve karshi të hyrave financiare të cilat i kemi me Telekomin aktualisht”,deklaron Istrefi.

Pas shkarkimeve të disa menaxherëve në Telekom, Istrefi thotë se ligj nuk ia lejon që të shkarkojë nga puna Demir Limajn, vëllain e Fatmir Limajt nga Telekomi.

Për Limajn që tashmë mban pozitën e këshilltarit, tregon se nuk e ka shkarkuar, por se atij i është dashur të përcaktohet nëse dëshiron ta mbajë punë primare atë në Telekom apo atë në universitet.

“Ai është përcaktuar që punën e tij primare të ketë në Universitet dhe ligjet në fuqi ia lejojnë një gjë të tillë që të ketë punë sekondare në Telekom. Nuk është këshilltar i imi, është këshilltar i Korporatës dhe duke marrë parasysh përvojën e tij që është e gjatë në Telekomin e Kosovës dhe çdo herë në pozita të larta menaxheriale, ka nevojë Telekomi me pasur përvojën e tij, këshillat e tij në rastet aktuale për të ardhur në një situatë më të mirë dhe më stabile në Telekomin e Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, për ligjin e pagave që hynë në fuqi nga dhjetori është krijuar një panik te stafi i Telekmomit, ku thotë se koeficienti është prej 1 deri në 7. Kreyeshfi Bedri Istrefi deri në këtë muaj ka pasur pagën 4 mijë e 450 euro, ndërsa nga dhjetori do ta ketë pagën 1 mijë e 673 euro.

“I siguroj punëtorët e Telekomit se me ligjin e pagave nuk do të dëmtohen. Nuk do të marr asnjë herë vendim ku përmes implementimit të këtij ligji të pagave që të dëmtohen punëtorët. Është fakt që vija e parë e menaxhmentit të lartë preket, mirëpo në situatën në të cilën jam, unë kam kërkuar edhe më herët që të kemi ulje të pagave qysh në muajin mars të vitit 2019. Të bëjmë ulje të pagave për shkak të domosdoshmërisë në të cilën ndodhet pjesa teknike që duhet të bëjmë investime patjetër”, deklaron Istrefi.

Për shërbimet e përdoruesve të numrave të ‘Z-mobile’, kryeshefi Istrefi thotë se nuk do t’u ndërpriten për asnjë çast, sipas të cilit faza e tranzicionit përfundon më 28 nëntor në ora 24:00.

Ai foli edhe për përfitimet financiare që do t’i ketë Telekomi me numrat e Z-Mobilet,  duke thënë se përfitimet do të jenë rreth 1.2 milion euro.