LAJMI I FUNDIT:

Kreshnik Morina, berberi shqiptar arrin sukses të madh në garën botërore

Kreshnik Morina, berberi shqiptar arrin sukses të madh në garën botërore

Se në baza individuale po tregojmë suksese, tregon edhe rasti i Kreshnik Morinës.

Ky i fundit ka arritur një sukses të paparë deri më tani në fushën e berberit të flokëve.


Kreshta, siç njihet më mirë me nofkën, ka qenë i vetmi shqiptar në një garë ndërkombëtare të mbajtur në Nurnberg, “International Barber Awards”.

Kreshniku, i cili jeton dhe vepron në Prizren, ka arritur deri në çerekfinale të konkurrimit të fortë në shtetin gjerman.

Në fakt, floktari arriti që të renditet në vendin e 13 në një garë që kanë marrë pjesë mbi 101 pjesëmarrës nga pothuajse po aq vende botërore.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka treguar emocionet e para pas suksesit të arritur në nivel ndërkombëtar.

“Jam i lumtur me këtë arritje edhe pse me pak fat, do të kisha mundur të jem edhe në pozitat më të larta. Por, duke marrë parasysh që është hera e parë që marr pjesë në këtë nivel garash, jam i kënaqur, por nuk do të thotë se duhet të punojë më tepër që të arrij në pozitat e larta”, tha Kreshniku.

Ndryshe, Morinën do ta shohim edhe këtë vit në gara të ndryshme ndërkombëtare të stilit të flokëve dhe mjekrës. /Telegrafi/