Pas takimit me kryetarin e LDK-së, emisari francez Rene Troccaz dhe ambasadori Olivier Guerot janë pritur në takim nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi ka shkruar se i ka falënderuar për vëmendjen që Franca i kushton Kosovës. Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet politike në vend.


“Biseduam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për nevojën që vendi ynë të ecë përpara, me institucione funksionale dhe me dialog konstruktiv. Në këtë drejtim, e njoftova emisarin Troccaz që si PDK, ne kemi dhënë kontributin tonë, si përgjegjësi politike, por edhe si vetëdije institucionale, duke votuar kryetarin e Kuvendit në funksion të zhbllokimit të situatës”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka falënderuar edhe ambasadorin Guerot dhe të gjithë zyrtarët francezë në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit tonë.

“PDK mbetet e përkushtuar për stabilitet, përgjegjësi institucionale dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/