Krasniqi: Partitë nuk duan të qeverisen nga njerëzit e dijshëm

“Kushdo që në rend të parë përcjell zhvillimin e debatit në shoqërinë tonë, në Kosovë, krijon përshtypjen për mungesën e debatit intelektual të paanshëm nga partitë politike, që morën pjesë në qeverisjen e vendit gjatë viteve të lirisë e të pavarësisë sonë.
Ndoshta mungesën e debatit të mirëqenë intelektual duhet ta shohim te mungesa e një organizimi intelektual të pavarur apo edhe të një integriteti intelektual, si dhe nga mungesa e një organizimi vullnetar të shoqërisë civile, ndërsa qëllim kryesor do ta kishin çlirimin e segmenteve kryesore publike të shoqërisë nga segmentet parapolitike të partive politike (të partive politike që kanë qeverisur në dy nivelet e pushtetit deri tani).
Për cilat segmente e kam fjalën?
Konkretisht për arsimin, policinë, administratën, shëndetësinë dhe gjyqësorin.
Të gjithë këta janë segmente publike që financohen nga Buxheti i Kosovës, duke mos harruar se po ky buxhet krijohet nga tatimpaguesit e Kosovës. Në të gjithë segmentet e përmendura, pa dallim, janë regjistruar parregullsi të ndryshme. Madje nuk është problemi pse ka parregullsi se në çdo shoqëri ka parregullsi, por pse gjenerimi i parregullsive është në ngritje dhe askund nuk shihet drita e daljes nga parregullsitë e evidentuara. Nuk ka asnjë dyshim se mungon vullneti politik, për të nisur një fillim të ri në segmentet e cekura më lart.
Atëherë, ku qëndron problemi?
Problemi i parë është pa dyshim tek partitë politike, të cilat nuk kanë vullnet për të qeverisur me njerëz të dijshëm e intelektualë të devotshëm dhe të përgjegjshëm, njerëz që dinë, duan dhe mund t’i bëjnë ndryshimet që i duhen vendit e kombit. Gjatë këtyre pak viteve të qeverisjes, te partitë politike qeverisëse në Kosovë nuk është parë të kenë ekspertë për të qeverisur me segmentet e përmendura. Që të gjitha partitë, pa përjashtim, është parë të qeverisin me kuadro jokompetente.
Kjo shihet po t’i bëhet një vështrim rutinor i të gjitha kabineteve qeveritare të deritashme. Shumë nga ministritë janë udhëhequr jo vetëm nga individë jokompetentë, por edhe pa ndonjë përvojë politike, menaxhuese dhe të paktën administrative. Kjo jokompetencë nuk është vetëm në Kabinetin Qeveritar, por e njëjta vërehet në çdo institucion të pavarur dhe të tilla në Kosovë janë relativisht shumë.
Problemi i dytë konsiston në faktin se tani e sa vite nuk patëm vullnet politik për të qeverisur mirë, edhe pse pati ndërrime të qeverive e të partive në qeverisje, por asnjëherë nuk u pa gatishmëria për të bërë një strategji të zhvillimit ekonomik, ndonëse edhe për ketë çështje janë ndarë mjete nga Buxheti ynë i varfër.
E kishim edhe një mundësi për të pasur një zhvillim ekonomik, duke privatizuar ndërmarrjet shoqërore e publike dhe sipërfaqe të madhe të tokave bujqësore, por nuk patëm politika të qarta të privatizimit. Me mungesën e politikave zhvillimore dhe ato të privatizimit jo vetëm që nuk nxitëm zhvillimin ekonomik, por mundësuam degradimin jo vetëm ekonomik por edhe atë të ambientit jetësor.
Gjatë këtyre viteve të pasluftës sikur të kishim liderë të përgjegjshëm politikë, politikat zhvillimore dhe ato të privatizimit do të rishikoheshin disa herë, por ne nuk patëm asnjëherë liderë të tillë dhe, me gjasë, nuk do t’i kemi edhe për një kohë të gjatë. Asnjë nga liderët që i kishim e i kemi, në asnjë rast e në asnjë rrethanë në qeverisjen e vendit nuk afruan njerëz kompetentë.
Problemi i tretë i madh konsiston në mungesën e vullnetit politik për të ndërtuar një sistem të drejtësisë të pavarur, efikas, profesional dhe të përgjegjshëm. Në shoqëritë në transicion, çështja më e vështirë e ndoshta e fundit është pjekuria e vullnetit politik për të pasur sistem të drejtësisë të pavarur. Pa konsolidimin e këtij sistemi, transicioni nuk mund të quhet i mbyllur, e që pastaj të na krijohen mundësitë për zhvillimin e demokracisë.
Këtë po e shohim edhe tek vendet fqinje, të cilat kanë një periudhë më të gjatë transicioni, edhe pse as ne nuk bëjmë ndonjë përjashtim në këtë drejtim. Një sistem drejtësie me prokurori dhe gjyqësor të konsoliduar do t’i krijonin vendit mundësi për një zhvillim ekonomik e proces të privatizimit, i cili do t’i ndihmonte zhvillimit të vendit si edhe punësimit të njerëzve të rinj. Prandaj, konsolidimi i sistemit të drejtësisë dhe sundimi i ligjit mbeten faktorë të rëndësishëm për një zhvillim të ri në Kosovë.
Problemi i katërt del të jetë mungesa e vullnetit politik për të konsoliduar dhe reformuar sistemin e arsimit e të edukimit, i cili është e do të jetë baza e të gjitha zhvillimeve progresive në Republikën e Kosovës. Problemet e shfaqura në këtë sistem, sigurisht që nuk janë të reja, madje nuk janë as të pas luftës çlirimtare, por kjo nuk na arsyeton e as amniston si shoqëri.
Ky sistem kërkon shërim akut dhe e tërë çështja është si ta shërojmë? Ku t’ia nisim? A mund ta shërojnë dhe ta ndryshojnë gjendjen ata që arsimin e sollën deri këtu? Përgjigjja më e shkurtër do të ishte JO e madhe, por JO-ja nuk e zgjidh problemin. Edhe këtu problemi është tek vullneti politik.
A ekziston ky vullnet politik në Kosovë?
Të jesh optimist është shumë vështirë, të jesh skeptik problemi nuk zgjidhet, ndaj duhet të jesh racional, sepse zgjidhje ka, por si? Këtu duhet shtruar edhe një pyetje: Partitë politike a kanë kuadro për të bërë zgjidhjen e duhur? Duke e parë debatin e brendshëm politik tek partitë që kanë qeverisur gjatë viteve të shkuara si dhe ato që qeverisin tani, përgjigjja është negative. Ata intelektualë që u janë nënshtruar pa asnjë kriter liderëve të tyre, a mund t’iu besohet? Edhe këtu përgjigjja është një JO e madhe.
Konsideroj se ne kemi kuadro të pavarura që kanë folur dhe reaguar edhe këtyre ditëve, kështu që ata që nuk kanë folur e as reaguar nuk mund t’i sjellin ndryshimet e kërkuara. Atëherë, le t’i gjejmë njerëzit që i duhen të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë. Nuk e mohoj mundësinë për të pasur edhe kuadro të mira edhe në partitë politike, por ato që janë avancuar deri më tani e kanë krijuar këtë nepotizëm institucional, këtë gjendje të rëndë dhe alarmuese në Arsimin e Kosovës.
Sistemi i arsimit nuk zhvillohet me miq e shokë, me të dëgjueshëm, me kushërinj, miq e të afërm të ndryshëm, qofshin edhe balldyzka. Për një sistem të mirëfilltë arsimor lypsen dijet shkencore të përfituara në rrugë të ndershme e me formim profesional, njerëz që duan t’i shërbejnë kombit, menaxherë që punojnë me mish e me shpirt për t’ia dhënë rrugën e mbarë këtij procesi bazik të zhvillimit e të progresit në vendin tonë.
Problemi i pestë është Shëndetësia, me një fjalë shëndeti i secilit pjesëtar të këtij shteti.
Ku jemi me këtë segment të rëndësishëm të jetës sonë?
Sigurisht që shëndetësia nuk mund ta këtë një zhvillim të dëshirueshëm pa një vullnet dhe kontribut të gjithë shoqërisë sonë. Është e vërtetë se Buxheti i Kosovës ndan një shumë jo të mjaftueshme për shëndetësinë, pra ndan aq sa ka mundësi, kurse problemi nuk qëndron këtu, por qëndron në faktin sesi e ku shfrytëzohen e shpenzohen mjetet e tatimpaguesve tanë? A ka abuzim me mjetet e ndara për shëndetin e qytetarëve tanë?
A është bërë ndonjë hulumtim i mirëqenë e profesional për të ardhur në përfundime të qëndrueshme. Duke e parë mënyrën se si po vendosen njerëzit në drejtimin dhe menaxhimin e këtij segmenti të rëndësishëm, mund të konstatojmë se gjatë këtyre viteve ka munguar vullneti për të menaxhuar mirë si me kuadro, ashtu edhe me mjete financiare.
Në mjekësinë e Kosovës duhet të zhvillohet një debat profesional i hapur e pa pardon për të analizuar gjendjen e pastaj për të treguar rrugëdaljen nga ky qorrsokak ku jemi tani. Besoj thellë në profesionalizmin e njerëzve vullnetmirë që kontribuojnë në këtë Sistem. Ata duhet të ngrihen edhe kundër keqpërdoruesve në radhët e tyre.
Të gjithë ata që kanë mundësi, dashuri dhe profesionalizëm, duhet të angazhohen për një fillim të ri edhe në këtë segment të jetës.
Për këtë janë të domosdoshme profesionalizimi, vullneti, humanizmi dhe përkushtimi i njerëzve tanë të mirë e të virtytshëm”. /Telegrafi/
















































