LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Nuk kemi pranuar njoftim zyrtar për iniciativën për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore

Krasniqi: Nuk kemi pranuar njoftim zyrtar për iniciativën për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka deklaruar të martën se dikasteri që udhëheqë nuk ka pranuar njoftim zyrtar për kërkesën që kanë paraqitur serbët në veri të Kosovës te kryesuesit e kuvendeve komunale të këtyre komunave, për inicimin e peticionit për shkarkim të kryetarëve.

Ai ka thënë se Udhëzimi Administrativ e përcakton qartë procedurën e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.


KQZ: Kemi pranuar e-mail me formularin ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve në katër komunat në veri
Lexo po ashtu KQZ: Kemi pranuar e-mail me formularin ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve në katër komunat në veri

“Secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës. Kërkesa për largim duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve me të drejtë vote dhe duhet t’i përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

AI tutje është shprehur se qytetarët e interesuar për inicimin e kësaj procedure, duhet ta themelojnë grupin nismëtar i cili para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve duhet të njoftojë Kryesuesin e Kuvendit Komunal, i cili më pas njofton MAPL-në dhe KQZ-në.

“Jemi në dijeni rreth raportimeve në media se janë mbledhur nënshkrime nga ‘një grup nismëtar’. Megjithatë, ju njoftojmë se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të Komunave respektive apo anëtarët e grupit iniciues siç parashihet me këtë Udhëzim Administrativ”.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se pranuar katër e-maila, prej të cilave tri e kanë të bashkangjitur formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Telegrafin ka thënë se këto shkresa do të trajtohen dhe më pas do ta informojnë publikun.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-mail zyrtar, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, ka thënë Elezi.

Siç raportuan mediat në gjuhën serbe në veri të Kosovës, në katër komunat veriore një grup i qytetarëve serbë kanë provuar të dorëzojnë një ‘kërkesë’ për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë ashtu siç parashihet në udhëzimin administrativ të miratuar kohë më parë, por sipas këtyre mediave kjo nuk ka qenë e mundur.

Në lidhje me këtë kryetari i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, ka thënë se kjo “kërkesë” e qytetarëve nuk i është dorëzuar zyrtarisht.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se këto lloj iniciativash nuk janë në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës për zëvendësim të kryetarit.

Sipas tij, një kërkesë të tillë e ka parë në një mesazh në një telefon të dikujt tjetër.

“E kam pa që po qarkullon një kërkesë e tillë, por unë nuk kam marr zyrtarisht një kërkesë të tillë. E kam pa në një telefon, kërkesa i ishte drejtuar ekzekutivit që s’janë të kënaqur me punën e komunës dhe të kryetarit dhe po kërkojnë shkarkimin e që është në kundërshtim me udhëzimin administrativ. Ne nuk merremi nëse nuk na vjen ndonjë kërkesë me shkrim”, është shprehur Uglani. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Kalo në kategori