Krasniqi: Clark mbetet në anën e drejtë të historisë - dje në mbrojtje të Kosovës e sot të çlirimtarëve

Krasniqi: Clark mbetet në anën e drejtë të historisë – dje në mbrojtje të Kosovës, sot në mbrojtje të çlirimtarëve në Hagë
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas paraqitjes së gjeneralit Wesley Clark në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krasniqi vlerësoi lart rolin historik të gjeneral Clark, duke e quajtur atë një mik të palëkundur të Kosovës.
“Dje, në mbrojtje të popullit tonë në Kosovë. Sot, në mbrojtje të çlirimtarëve tanë në Hagë,” shkroi ai, duke theksuar vazhdimësinë e përkushtimit të Clark ndaj së vërtetës.
Krasniqi tha se gjenerali amerikan ka qëndruar gjithmonë në anën e drejtë të historisë.
“Gjenerali Wesley Clark mbetet me këmbëngulje në anën e drejtë të historisë – një pjesë të së cilës e shkroi me lidershipin e tij,” tha ai.
Ai e përshkroi Clarkun si një figurë të qëndrueshme në raport me Kosovën.
“Ai shfaqet gjithmonë i njëjtë: besnik, i vendosur, i drejtë. Një mik që nuk mban uniformë vetëm në fushën e betejës, por edhe në betejën për të vërtetën,” theksoi ish-lideri i PDK-së.
Në përfundim, Krasniqi u shpreh se parimet dhe vlerat që përfaqëson Clark nuk ndryshojnë dhe se historia tashmë e ka vendosur atë në vendin e duhur.
“Historia e njeh. Ne e nderojmë. Faleminderit, Gjeneral Clark!” përfundoi ai. /Telegrafi/





















































