LAJMI I FUNDIT:

KQZ: Zgjedhjet në veri kanë nisur me kohë

KQZ: Zgjedhjet në veri kanë nisur me kohë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet në komunat e veriut  të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, janë hapur në orën e paraparë dhe sipas të dhënave nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull.

“Ju njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fletëvotimet dhe të gjitha materialet tjera të ndjeshme zgjedhore janë shpërndarë sipas planifikimeve”, theksoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.


“Po ashtu, ju njoftojmë se të gjitha vendvotimet e këtyre komunave janë hapur në orën e paraparë, pra në orën 7:00. Duke u mbështetur në të dhënat nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull”, tha Elezi në një konferencë për media.

Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave janë kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Bazuar në renditjen e KQZ-së, në garë për kryetar të Leposaviqit janë Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.

​Në Zubin Potok garojnë Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe.

Në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe. Kurse, në Mitrovicën e Veriut garojnë, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e votimit do të hapen 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Janë 12 kandidatë në garë për kryetar në këto komuna, nga tre kandidat për secilën komunë. Në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet, të drejtë vote kanë 57 mijë e 938 votues.

Në Leposaviq, të drejtë vote kanë 18.164 persona, në Zubin Potok 8.535, në Zveçan 9.229 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 22.055 persona më të drejtë vote.

Lista votuese është bazuar në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil, i cili përpilohet nga Agjencia e Regjistrimit Civil.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 media./Telegrafi/