Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për media për të treguar rreth asaj se si ka nisur procesi i votimit në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Ai bëri të ditur se gjithçka ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa shifrat e para se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00, do të nisin të shfaqen pas orës 09:00, duke vazhduar më tej me përditësime.


“Në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Gjithashtu njoftojmë se, duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës”, tha Elezi, raporton Telegrafi.

Ai shtoi se procesi i votimit po zhvillohet në 948 qendra të votimit, ndërkaq numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë e 205 votues.

“Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2614 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra me 2557 vendvotime që do të mundësojnë votimin e rregullt dhe 38 qendra të tjera, nga 1 për secilën komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, potencoi Elezi.

Nga ora 09:00, në ueb faqen e KQZ-së, do t’i kemi shifrat e para për daljet e qytetarëve për të votuar në këto dy orët e para”.

“Pastaj do të vazhdojmë me orët e tjera, nga ora 11:00, për të vazhduar më tutje”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/