KQZ: Deri në ora 11:00, 7.87% e qytetarëve kanë dalë për të votuar

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Sipas tij, deri në ora 11:00, nuk është raportuar ndonjë incident që mund të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Radoniqi theksoi se të gjitha të dhënat për daljen e qytetarëve mund të shihen në faqen zyrtare të KQZ-së.
“Nuk ka ndonjë incident. KQZ mbetet në kontakt të vazhdueshëm me trupat zgjedhor për të siguruar që procesi të zhvillohet sipas ligjit dhe rregullave zgjedhore", tha Radoniqi, raporton Telegrafi.
Sipas të dhënave preliminare të përpunuara nga rreth 94% e vendvotimeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 158,691 qytetarë, apo 7.87% e numrit të përgjithshëm të votuesve, që është 2,025,105".
"Në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2021, pjesëmarrja në këtë orë është pak më e ulët. Atëherë, deri në orën 11:00 kishin votuar 152 mijë qytetarë, që përbënte 8.2% të trupës votuese prej 1,885,448 votuesve".
“Të gjitha këto të dhëna mund t’i gjeni në web-faqen e KQZ-së,” shtoi ai. /Telegrafi/










































