KPM publikon raportin e monitorimit të mediave gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka përmbyllur procesin e monitorimit të ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) të cilat kanë mbuluar fushatën e Zgjedhjeve të Parakohshme 2025.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se monitorimi ka pasur për qëllim vlerësimin e performancës së OSHMA-ve në pajtim me Kreun VIII “Mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve” të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren KPM-2024/03 për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale gjatë Fushatës Zgjedhore.
"Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor 2025, ndërsa fushata zgjedhore zgjati nga data 17 deri më 28 dhjetor 2025 (ora 07:00), para hapjes së vendvotimeve. Në zgjedhje morën pjesë 24 subjekte politike të certifikuara (SCP), prej të cilave 19 parti politike, 2 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur".
Po ashtu siç thuhet në raport: "Zyra Ekzekutive e KPM-së, para fillimit të fushatës, hartoi Planin e Veprimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025 në Republikën e Kosovës, i cili përcaktoi aktivitetet e Zyres Ekzekutive të KPM-së në përputhje me mandatin ligjor të përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L-44 për KPM-në, Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren KPM-2024/03 për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore".
Në raport shpjegohet se periudha para fushatës përfshiu aktivitete të KPM-së për komunikim dhe sensibilizim të të licencuarve, me qëllim njoftimin e tyre mbi detyrimet gjatë procesit zgjedhor.
"Gjatë kësaj kohe, KPM organizoi dy takime me të licencuarit për të diskutuar mbi procesin zgjedhor, përkatësisht detyrimet e mediave sipas Ligjit Nr. 08/L-228 dhe akteve nënligjore të KPM-së, duke përfshirë veçanërisht Rregulloren e re të KPM-së 2024/03, lidhur me obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës.
Gjatë fushatës zgjedhore dhe deri në mbylljen e vendvotimeve, KPM monitoroi dhe vlerësoi pajtueshmërinë e të licencuarve me legjislacionin në fuqi dhe identifikoi shkeljet e mundshme. Për shkak të mungesës së kuorumit të Komisionit të KPM-së, nuk u mor asnjë vendim për shkeljet e konstatuara nga Zyra Ekzekutive. Periudha paszgjedhore u fokusua në përgatitjen e raportit preliminar dhe atij përmbledhës, që reflekton veprimet e KPM-së dhe gjetjet e monitorimit të të licencuarve gjatë fushatës".
Tutje në raport thuhet se në përgjithësi, OSHMA-të e përfshira në monitorim ofruan hapësirë dhe mbuluan kryesisht aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike LVV, PDK, LDK dhe AAK.
"Ndërkaq, subjekteve të tjera të certifikuara nuk u ofrua mundësia e njëjtë për hapësirë “pa pagesë” gjatë fushatës, për çka Zyra Ekzekutive e KPM-së ka njoftuar OSHMA-të dhe i ka udhëzuar të veprojnë në pajtim me Rregulloren KPM-2024/03. Gjatë periudhës monitoruese, shkeljet më të zakonshme të konstatuara përfshinë: mosidentifikim të duhur të reklamimit politik, përfshirje dhe përdorim të fëmijëve në spote politike, sponsorizim të emisioneve politike, reklamim me ekran të ndarë, vendosje të produkteve në emisione të çështjeve aktuale dhe shkelje të heshtjes zgjedhore", thuhet në raportin e KPM-së. /Telegrafi/





















































