Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka njoftuar se ka mbajtur sot takimin e tij të jashtëzakonshëm, të 282-tin me radhë, nën kryesimin e Ardian Hajdaraj.

Në këtë takim janë shqyrtuar dy pika të rendit të ditës, me ç’rast anëtarët e KPK-së kanë marrë vendime lidhur me udhëheqjen e institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit.


“KPK ka aprovuar kërkesën e z. Besim Kelmendi për lirim nga detyra e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Po ashtu, Këshilli ka ricaktuar z. Agron Qalaj në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendim i cili hyn në fuqi nga dita e sotme”, thuhet në njoftim.

Vendimet janë marrë në përputhje me kompetencat ligjore të Këshillit Prokurorial të Kosovës.