LAJMI I FUNDIT:

Kosovarët pajisen me “eksplozivë”

Kosovarët pajisen me “eksplozivë”

Kosova është në mesin e shteteve më të varfra në rajon, mirëpo kur janë në pyetje festat, kosovarët u bëjnë konkurrencë shteteve të vendeve të zhvilluara.

Miliona euro shpenzohen për të pritur festat e fundvitit, e për të dekoruar shtëpitë e tyre, por edhe për të djegur milionat në fishekzjarre, shkruan Gazeta Fjala.


Të dhënat që Gazeta Fjala ka siguruar nga Dogana e Kosovës tregojnë se vetëm për këtë vit 45 mijë e 586 kilogramë fishekzjarre kanë hyrë në Kosovë.

Fishekzjarret nuk janë mjetet e vetme, ku kosovarët djegin paratë e tyre. Referuar të dhënave të Doganës, 21 mijë e 819 kilogramë, është vlera e mjeteve tjera që kanë hyrë në Kosovë, gjatë vitit 2016.

E në total janë importuar plotë 67 mijë e 405 kg, mjete piroteknike. Ndërsa 88 mijë euro është shuma që Dogana ka fituar nga importi i këtyre mjeteve.

Kina e Gjermania furnizojnë kosovarët me fishekzjarre

Kina duket të jetë vendi prej të cilit Kosova importon më së shumti mjete piroteknike. 672 mijë e 298 euro, është sasia e këtyre mjeteve të importuara nga ky shtet.

Ndryshe vlera në euro është plot 83 mijë e 996 euro. Nga Gjermania kanë hyrë plot 107 mijë kilogramë fishekzjarre për këtë vit. Vlera totale e tyre në euro ka qenë 4 mijë euro.

Vlera e përbashkët e të dy shteteve është 88 mijë euro. Të dhënat e Doganës tregojnë se deri tani në Kosovë kanë hyrë 39 tonë mjete piroteknike.

“Gjatë fundit të vitit 2016 janë importuar mbi 39.000 kg mjete piroteknike dhe fishekzjarrë. E gjithë kjo sasi ka vlerë monetare rreth 50.000 euro. Këtë vit nuk kemi hasur në raste të tentim kontrabandës së mjeteve piroteknike dhe se nuk ka pasur mjete të cilësisë së dytë’’ kishte deklaruar zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Importi i këtyre mjeteve po shënon rënie nga viti në vit.

Derisa në vitin e kaluar, ishin importuar mjete piroteknike në vlerën e 387 mijë e 173 euro, të dhënat për këtë vit tregojnë ndryshe.

Këtë vit vlera e fishekzjarrëve të importuara është 88 mijë euro.

Pa djegur milionat e shtetit në fishekzjarre nuk e kanë lënë as kryekomunarët, për dekorimin e Komunave ku udhëheqin.

Komuna e udhëhequr nga Ramadan Muja ka ndarë 19 mijë euro, nga taksat e qytetarëve që qyteti të marr pamje tjetër, për festën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Më shumë do të shpenzoi buxhet kryeqyteti i udhëhequr nga Shpend Ahmeti.

Komuna e Prishtinës ka përzgjedhur kompaninë “Anea”, që për 50 mijë euro të kryer punët e dekorit në kryeqytet.

Si Muja e Ahmeti, shihet në bazë të tenderëve të publikuar deri më tani, shumë kryetar komunash të shtetit të më varfër në Evropë, kanë planifikuar të shpenzojnë para të majme.

Ndërkaq, 902 familje kosovare, kanë pritur në dyert e institucioneve këtë vit, për të kërkuar ndihmë nga shteti, vetëm për gjashtë muajt e parë.

Derisa në vitin e kaluar ishin 25 mijë e 551 familje me asistencë sociale, nga janari e deri në qershor të këtij viti, Kosova ka regjistruar 26 mijë e 453 familje shfrytëzuese të skemës sociale, shkruan Gazeta Fjala.

Ndonëse kur është fjala për simbole shtetërore të Kosovës, nuk i mbajnë asnjë në zyret e tyre, kur vjen puna te shpenzimi i parave, kryetarët e Komunave Veriore, tregohen mjaft dorëlirë.

Komuna e Shtërpcës, e udhëhequr nga Bratislav Nikoliç, do të shpenzoj 4 mijë e 480 euro, për dekorimin e rrugës kryesore në Shtërpcë.

“Metal Laçi” Sh.P.K, është kompania që i është besuar tenderi, për të kryer zbukurimet e kësaj Komune.

Ndërkohë, kryetari i Komunës Veriore, Goran Rakiq, ndryshe nga kryekomunarët tjerë, ka vendosur t’i gëzoj fëmijët për nder të festave të fundvitit, duke planifikuar shpenzime nga buxheti i shtetit deri në 4 mijë e 500 euro. /Gazeta Fjala/Telegrafi/