LAJMI I FUNDIT:

Kosova me vetëm një inspektor për mbrojtje të natyrës

Kosova me vetëm një inspektor për mbrojtje të natyrës

Komisioni për Bujqësi, në mbledhjen e mbajtur ka shqyrtuar planin e veprimit për biodiversitetin 2016-2020.

Ismajl Hetemaj nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se zbrazëtirat ligjore, kanë ndikuar që gjendja të jetë jo e mirë, sa i përket biodiversitetit në Kosovë.


Driton Çaushi, anëtar i këtij komisioni, tha se gjendja aktuale e biodiversitetit, nuk është shumë optimiste.
“E shoh pak si absurde një plan të veprimit, në kuptimin legjislativ dhe objektivave për rritjen e zonave të mbrojtura, kur nuk kemi një informacion të qartë, cila është gjendja e biodiversitetit sot dhe çka ndodhë me këtë 90 për qind të pyjeve që nuk janë të mbrojtura dhe janë në shkatërrim e sipër. Në momentin që ka shkatërrim të pyjeve, nuk mund të ketë biodiversitet”, tha ai.

Kurse, Hetemaj tha se as ata si ministri nuk janë të kënaqur me atë që ndodhë në terren por e gjithë kjo është si pasojë e mos harmonizimit të legjislacionit në mes të ministrive.

Ndërsa Enver Hoti tha se dyshon që disa hapësira ligjore janë lënë qëllimshëm, që mos të realizohen objektivat e parashikuara.

“Bukur do pështjellime janë me shiku bukur gjanë, del me nënkuptu se i keni lënë do hapësira qel, ndoshta qëllimshëm, mos me i realizu disa objektiva që janë parashikuar”, tha ai.

Hetemaj kishte dhe një përgjigjej për këtë.
“Aty që the ma ke lanë pak pështjellë, kur nuk e thotë ligji ajo gjithmonë mbetet pështjelltë, me pas thanë ligji që plani duhet të jetë 5 vjeçar e kishim lanë 5 vjeçar dhe se kish lujt topi, por MF po thotë korniza afatmesme, po thotë për 3 vite, qysh me ba planin për 5 vite kur korniza është 3 vite. Për këto dy vite t’i po del në sarrnishtë, s’ke buxhet, se ndoshta këta nuk po incizojnë këtë“, tha ai.

Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj tha se fjalët e Hetemajt nuk po përputhen me ato që i kishte thënë ministrja e tij.

“Sa i përket kapaciteteve të inspektoratit të ministrisë është mirë me u konsultu pak se ministrja dhe kryeinspektori nuk i thojshin fjalët tuaja. Garant aty s’po komunikoni mirë mes vete këtu po vini po na i jepni një ashtu një kështu. Ajo thojke kemi marrë masa kemi dhënë dënime 50 mijë euro, ju po thoni jo”, tha ai.

Besa Gaxherri kërkonte sqarim se a ka pasur dënime të shqiptuara sa i përket shkatërrimit të biodiversitetit.

E Hetemaj tha se nuk ka pasur fare dënime, pasi që Kosova ka vetëm një inspektor të natyrës.
“Sa i përket biodiversitetit, unë nuk e di që është bërë ndonjë padi dikujt për shkatërrim të biodiversitetit dhe kjo ka mbaru me ndonjë penalizim nga gjykatat. Feronikelit i është bërë një dënim, Elez Hanit i është bërë një dënim 50 mijë, unë nuk kam njohuri. Unë nuk thash që aty s’është asnjë dënim por për shkatërrim të biodiversitetit nuk di. Jam zyrtar në ministri por nuk di që ka pasur ndonjë dënim. Një inspektor është në nivel të krejt Kosovës për mbrojtje të natyrës”, tha ai.

Por për Haradinajn, është e palogjikshme që çdo vit të jenë arsyetimet e njëjta, se ka mos harmonizim të ligjeve e institucioneve.

E kryetari i Komisionit Daut Haradinaj ishte i ashpër me Hetemajn, duke i thënë se po të ishte ai ministër, do ta qonte atë në shtëpi. “Të isha kanë ministër e kisha qu në shpi”, tha ai.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e raportit vjetor 2017 nga Agjencia për menaxhimin e komplekseve memorialë të Kosovës. /Kp/Telegrafi/