Kosova në sytë e basketbollistëve të huaj

Në një interviste për gazetën KosovaSot, disa prej lojtarëve të huaj më të mirë në Kosovë për momentin, kanë ndarë mendimet dhe përshtypjet e tyre për vendin tonë.
House: Gruaja ime dëshiron të jetojmë këtu
Basketbollistin e Pejës, Frederick House, më së shumti e pengon të ftohtit që mbretëron në Kosovë, përndryshe ka vetëm fjalë të mira. “Kosova është vend shumë i mirë për të jetuar. Çdo ditë jam duke mësuar diçka të re në këtë vend. Më pëlqen moti i mirë, sic ishte kur kam ardhur, ndërsa tani është ftohtë dhe kjo nuk më pëlqen aspak. Mirëpo, nëna natyre luan rol të rëndësishëm në ndryshimin e motit. Unë preferoj të jetoj aty ku është nxehtë”, ka thënë House për gazetën.
“Mund të ndodhë të shpërngulem në Kosovë, për të jetuar dhe për të krijuar familje këtu. Gruaja ime më kërkon një gjë të tillë vazhdimisht, pra të qëndrojmë në Pejë. Por, unë i them asaj se do të shohim. Kam bërë miq shumë të mirë këtu, po ashtu po përpiqem ta mësoj gjuhën”, ka shtuar amerikani. Ndërsa, sa i përket nivelit të basketbollist kosovar, ai shprehet: Niveli është i mirë, por mund të jetë edhe më i mirë. E rëndësishme është që secila skuadër e jep më të mirën nga vetja. Në ligën e Kosovës asnjëherë nuk mund të nënçmosh kundërshtarin, sepse ka skuadra që dinë shumë mirë ta shfrytëzojnë një gjë të tillë. Unë jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që gjendem këtu”, përfundoi House.
Kieza i kënaqur me shumëçka, por kritikon vozitësit
Lituani i Sigal Prishtinës, Aurimas Kieza, po ashtu ka fjalë të mirë për Kosovën, por thekson se do të dëshironte të ketë më shumë pastërti në kryeqytet, dirsa vërejtje ka edhe për vozitësit. “Më pëlqen Kosova. Siç po shihet Kosova është një vend që është duke u zhvilluar që nga paslufta. Mund të shihni ndërtime në çdo anë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm këtu, kam krijuar miq të mirë. Më pëlqejnë kafenetë, ndërsa më të mirat në qytet i bëjnë në kafenenë ‘AM PM’. Mos të harroj të përmend faktin se vozitësit këtu janë shumë të çmendur”, ka thënë Kieza për gazetën.
Ndryshe nga Frederick House, ai nuk e ka menduar mundësinë për të jetuar në Kosovë. “Ajo çka më pëlqen këtu është se njerëzit janë shumë mikpritës. Do të dëshiroja që Prishtinë të ishte më e pastër dhe më e gjelbër. Pastaj, është vështirë të gjesh parking. Mua dhe familjes sime na pëlqen të shëtisim në qendër të qytetit, por edhe në qendra tregtare, të cilat këtu janë të shumta. Nuk e di a do të jetë në Kosovë, nuk e kam menduar një gjë të tillë”, shtoi Kieza, i cili për basketbollin e Kosovës, thotë: “Në krahasim me nivelin e basketbollit të Lituanisë është dobët, por dy skuadrat e para, pra Prishtina dhe Peja janë shumë të forta. Në të njëjtën kohë mund të them se Kosova ka disa djem të rinj që posedojnë talent të basketbollit”, përfundoi lituani.
Kendrick Jones ndihet i famshëm në Prishtinë
Për amerikanin Kendrick Jones ky është viti i dytë që po luan në Kosovë. Vjet luajti për RTV 21, ndërsa sivjet është anëtar i Sigal Prishtinës. “Fakti që jam kthyer sërish do të thotë se më pëlqen të jetë në Prishtinë. Për dallim nga viti i kaluar tani jam bërë më i famshëm, pasi Prishtina luan në Ligën Ballkanike dhe kemi ndërtuar një skuadër të fortë”, ka thënë Jones për gazetën. Ai thekson se në qytet gëzon respekt të madh. “Njerëzit më respektojnë shumë, pasi vazhdimisht në rrugë më ndalin, më përshëndesin dhe më përgëzojnë për skuadrën dhe lojën e mirë që e kemi bërë. Ky është një motivim i madh për mua. Ndërkaq, nuk më pëlqen moti në Kosovë, e posaçërisht fakti që palestrat janë të ftohta”, shtoi amerikani.
Megjithëse thotë se e ka zgjedhur dashurinë e jetës, ai nuk heziton të tregojë se i pëlqejnë femrat kosovare. “Femrat në Kosovë janë shumë të bukura, edhe pse unë e kam gjetur dashurinë e jetës sime, mund ta them lirisht një gjë të tillë”, shprehet Jones, i cili ka mendim të mirë edhe për nivelin e basketbollit. “Niveli i lojës është i mirë, por mund të bëhet edhe më i mirë. E rëndësishme është që po investohet në basketboll. Shpresoj që së bashku me skuadrën do t’i realizojmë synimet tona, të luajmë në play-off në Ligën Ballkanike dhe t’i fitojmë trofetë në garat vendore. Nuk do të jetë lehtë, por ne do ta japim më të mirën nga vetja”, ka përfunduar Jones.
/Telegrafi/













































