LAJMI I FUNDIT:

Kosova në kujtesën e miteve dhe të vërtetave të paraluftës

Kosova në kujtesën e miteve dhe të vërtetave të paraluftës
Ilustrim

Marrëveshja e fundit e Uashingtonit, e cila sipas sociologut Redi Shehu ishte një “marrëveshje për të mos u marrë vesh”, zgjoi debate nga më të ndryshmet, nga ata intelektualë të cilët i njohin, i kuptojnë dhe i shohin gjërat nga larg, por edhe nga ata “ekspertë” që për fatin tonë të keq, janë më të shumtë dhe të cilët duke mos i njohur dhe duke mos i kuptuar gjërat, nuk dinë as çka flasin. Natyrisht, që “shpresa vdes e fundit”, por kam përshtypjen se prej fillimit të pasluftës, thuajse secila marrëveshje shqiptaro-serbe, që është bërë me ndërmjetësimin e perëndimorëve dhe ‘piunëve’ të tyre në pushtet, i ka sjellë Kosovës një mesazh të qartë se këto marrëveshje asnjëherë nuk do të përfundojnë në dobi të tyre, por do ta mbajnë Kosovën përherë të destabilizuar. Dëshiroj të jem i gabuar, por përrallat për ditët e bukura që po vijnë kanë marrë shijen e byrekut me kashtë dhe nuk u tregohen më as fëmijëve.

Ajo që politikanët, analistët, debatuesit dhe “ekspertët” do të duhej ta kishin parasysh është këshilla e filozofit të njohur irlandez të shekullit XVIII, Edmund Burke (1729-1797): “Ata që e injorojnë historinë, janë të destinuar ta përsërisin”. Më e pakta që mund të bëjmë ne është t’i kujtojmë ngjarjet dhe rrethanat në periudha të ndryshme, sidomos ato ndërmjet demonstratave (1981) dhe Luftës së UÇK-së (1998-1999), të cilat nuk janë edhe aq të vjetra. Të kujtohet se si filloi një histori për të mos e rifilluar edhe njëherë në atë mënyrë.


Gjatë kësaj periudhe janë tri ngjarje të mëdha të lidhura me shumë të tjera ndërmjet tyre, por të paraqitura e të shpjeguara në mënyra kontroverse, duke u ndarë në mite dhe të vërteta. Rasti i parë më i përfolur pas demonstratave është rasti “Martinoviq”, i cili filloi më 1 maj 1985, kur sipas shtypit jugosllav, fermeri 56-vjeçar serb nga Gjilani – Gjorgje Martinoviq (1929-2000), “ishte sulmuar prej dy shqiptarëve të panjohur”, të cilët e kishin lidhur dhe e kishin keqtrajtuar duke i vendosur një shishe 500 ml. në ‘zorrën e trashë’ (sodomi)! Ata e lanë aty të gjakosur dhe të pa ndjenja. Kur erdhi në vete – raportuan gazetat – atë e shpunë në spitalin më të afërt. Kësisoj shtypi e raportoi këtë incident si ‘çështje të kryer’ pa thënë, për shembull, ‘sipas Martinoviqit’. Ky lloj gazetarie nuk ishte i parëndomtë në Jugosllavi, ku ‘faktet ishin të rralla’” [Thompson: 1992/129]. Ata nuk kishin nevojë për fakte, pasi posedonin këshillën e Dobrica Qosiqit: “gënjeshtra është formë e patriotizmit tonë” [Baleta: 2005/13].

Edhe pse fajtori nuk ishte zbuluar, ai “me gjasme” duhej të ishte shqiptar, sepse kështu mund të shpreheshin më mirë ndjenjat e viktimizimit serb në Kosovë, që ishte çështje dite! Ndonëse në periudhën 1981-1987 shkalla e krimit në Kosovë ishte më e ulëta në Jugosllavi [Vučković & Nikolić: 1996/130], intelektualët serbë filluan të konstruktojnë rastin për “gjenocidin” shqiptar kundër serbëve në Kosovë. Tregimet mbi “persekutimet e serbëve” ishin bërë një lloj “mobilizimi serb kundër armikut të tyre”, ashtu si rasti Martinoviq, që u vendos në përfaqësimin e “gjenocidit shqiptar kundër serbëve”. Kjo tashmë ishte një histori e vjetër, ku shqiptarët e tanishëm e kishin zëvendësuar Perandorinë Osmane, Austro-Hungarinë, fashistët dhe nazistët, se “viktima e re e kohëve osmane quhej Gjorgje Martinoviq” [South Slav Journal, #1-2/1986/109] ose ndryshe: “tmerri i kohës turke” [Politika Ekspres, 14.01.1991]. Živorad Mihajlović, i cili shkroi një libër 485 faqesh në 50.000 kopje për rastin Martinoviq (1986) [Malcolm: 1998/338], e shpjegon këtë referencë: “Këtu kemi të bëjmë me mbetjet e Perandorisë Osmane”, ndërsa për “Nin” kjo ishte “metodë unikale e mizorisë” dhe kishte të bënte me “arnautët – shërbëtorët e turqve” [Nin, 5.02.1989]!

Në artikullin e 22 majit 2004: “Kronikë e një armiqësie të qëndrueshme”, të botuar në “Guardian Unlimited”, Nicholas Lezard e kujtonte tragjedinë e Martinoviqit në kontekstin e konfliktit të gjerë midis krishterimit dhe islamit! Ndërkohë piktori Miša Popović bëri një pikturë ku homoseksuali Martinoviq paraqitej i kryqëzuar si Krishti. Shumë shkrime serbe në lidhje me incidentin “saktësonin” se ky veprim arbitrar ishte kryer nga disa “shqiptarë muslimanë”, ku krahas kombit përfshihej edhe feja. Kishte kohë që media serbe i frynte borisë së “rrezikut islamik” në Kosovë!

Martinoviqi nuk ishte viktimë e rastit. Ishte “Jasenovaci i një njeriu të vetëm” – shkruante Akademik Brena Crnčević për “Politikin Svet” (1.05.1991). Pastaj pasonin komentet që e vendosnin në rangun e gjenocidit, sepse çdo gjë në lidhje me të në Jugosllavi ishte eksploziv. Në këtë mënyrë, Martinoviqi u bë “fatosi i afisheve” për kauzën nacionaliste serbe, pak më i dukur në fotografi i shoqëruar me priftin serb Amfilohije Radoviq dhe Miroslav Sholeviq – njëri prej liderëve të protestave serbe në Kosovë [Politikin Svet, 5.10.1988]. Për më shumë se katër vite, Martinoviqi u mbajt si “martir i gjithë popullit serb”. Kurdo që publikut i duhej një kujtesë viktimizimit të serbëve dhe natyrës barbare të shqiptarëve, imazhi i Martinoviqit me lehtësi mund të zgjohej. Ishte apo nuk ishte e vërtetë, kjo nuk kishte fare rëndësi!

Fillimisht edhe vetë shqiptarët ranë në grackën e lajmit mbi “sulmin e Martinoviqit”, por ata shpejt e kuptuan se ai mund ta kishte bërë vetë. Gazeta “Danas” e Zagrebit e raportonte kërkesën e tyre për dërgimin e një ekipi special për ta hetuar çështjen dhe për të gjetur fajtorin e vërtetë, sepse kjo nuk mund të ishte vepër e shqiptarëve [Danas, 6.08.1985]. Me këtë kërkesë, qytetarët dhe organizatat u dërguan letra e peticione autoriteteve të larta të Federatës. Më 11 maj, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë deklaroi se do të formonte një komision special në Serbi dhe se do ta hetonte rrënjësisht çështjen, por – për ta manipuluar rastin – Martinoviqin e transferuan në spitalin ushtarak të Beogradit, nga ku doli konstatimi se dëmtimet e tij “nuk ishin në përputhje me një plagë të vetëshkaktuar” dhe se duhej të ishin “të paktën dy ose më shumë individë” [Dragović-Soso: 2002/132-135].

Por, “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. E përditshmja zagrebase “Danas” raportonte se zyrtarët e Komunës së Gjilanit, ashtu sikurse hetuesia publike e Prishtinës, kishin konstatuar që lëndimet e brendshme të Martinoviqit ishin shkaktuar nga vetë Martinoviqi [Danas, 6.08.1985]. Edhe vetë deklarata e prokurorit linte të kuptohej se rasti Martinoviq kishte qenë një “vetëkënaqësi” [Danas, 6.08.1985]. Për referencë mund të merrej raporti i Gjykatës së Qarkut në Gjilan, i lëshuar më 1 maj 1985, në të cilin thuhej se: “Në vendin e ngjarjes, në distancë më tepër se 10 metra, vërejtëm një dru të hollë të ngulur në tokë dhe disa pjesë të thyera të shishes. Konstatuam që në këtë pjesë të arës, në afërsi të këtij druri dhe pjesëve të mbetura të shishes, nuk kishte ndonjë gjurmë të këmbëve tjera, përpos gjurmëve të personit që e kishte kryer këtë vepër vandale”. Përveç kësaj, “druri i ngulur” ishte marrë nga një pemë në kopshtin e Martinoviqit. Këtë e kishte pranuar më 23 maj 1985 edhe vetë Martinoviqi para një inspektori të Republikës dhe një inspektor komunal. Madje, edhe policia sekrete u prononcua në mendimin se kishte të ngjarë që plagët e Martinoviqit të ishin vetëshkaktuar. Për këtë arsye edhe autoritetet federale serbe asnjëherë nuk qenë të sinqertë dhe nuk e ndoqën më çështjen deri te “terroristi shqiptar”, pasi një të tillë nuk kishte [Sell: 2002]. Një vit pas incidentit, koloneli Novak Ivanović tha për “Intervju” se gjithë kjo histori ishte shpikur dhe fabrikuar me urdhër të një gjenerali të ushtrisë jugosllave!

Ndërsa incidenti “Martinoviq” ende përdorej si vegël kundër “terrorizmit shqiptar”, një tjetër incident ngjau në qytetin serb të Paraqinit, më 3 shtator 1987. Aziz Kelmendi – një djalosh shqiptar i lindur në Lipjan (1967), të cilit i kishte mbetur edhe një muaj të shërbente në Armatën Jugosllave, hapi zjarr në kazermën ushtarake “Branko Krsmanović”, duke vrarë katër ushtarë: Safet Dudaković e Hazim Dženanović (boshnjakë), Srđan Simić (serb) dhe Goran Begić (kroato-slloven). Sipas raporteve, pasi plagosi edhe pesë të tjerë, ai u gjet i vdekur pasi kishte bërë “vetëvrasje”. Gjashtë shqiptarë, një mysliman dhe një rom u dënuan si pjesëtarë të kësaj masakre. U tha se bashkëpunëtorët e tij ishin “anëtarë të një grupi armiqësor separatist dhe irredentist shqiptar” [Daily Report – EastEurope, 1988/44].

Ky incident menjëherë u raportua si “sulm i planifikuar ndaj Jugosllavisë” [Borba, 4.09.1987], ku të shtënat masive ishin shumë të rralla. Mënyra e të raportuarit sërish u identifikua me “folklorin serb” për “problemin shqiptar” dhe për nevojën urgjente për zgjidhjen e këtij problemi. Secili ndjente se vetëm “irredentistët shqiptarë” mund të bënin diçka të tillë, vetëm që ta kishin veshje e zakone të ndryshme dhe që e përkrahnin kauzën e “Kosovës Republikë”. Këta të fundit nuk ishin tjetër, veçse vrasës të cilët “prisnin të eksplodonin” [Novosti, 10. 09.1987].

Edhe pse viktimat ishin kryesisht joserbë, media serbe e paraqiti si një sulm antiserb [Ramet: 2006/8]. Rreth 10.000 njerëz morën pjesë në varrimin e ushtarit të vrarë – Simić [Judah: 2002/54], që nga oficerë të lartë të ushtrisë deri te kryetari i bashkisë së Beogradit. Numri i njerëzve më pas u dyfishua në brohoritje: “Serbia, Serbia!”, “Duam liri”, “Kosova është Serbi” etj. Pas varrimit, e vizituan varrin e Aleksandër Rankoviqit, duke kënduar himnin kombëtar të Jugosllavisë. Brohoritjet vazhduan me: “Poshtë Azem Vllasi” dhe “Kosova është e jona” [Sell: 2002/41]! Me këtë rast në Beograd, Paraqin, Suboticë dhe Valevë u shkatërruan bizneset e pronësive shqiptare.

Prejardhja e Kelmendit përshkruhej nga një familje nacionaliste për shkak se vëllai i tij ishte arrestuar tek po shkruante grafite “me përmbajtje subversive”, kurse në shtëpinë e tij policia kishte gjetur “propaganda subversive” të bazuara “në nacionalizmin dhe separatizmin shqiptar” [Večernji List, 8.09.1987]. Jović-i shkruante se kishte qenë i burgosur nga 2-17 prill 1984 për tentim arratisje në Shqipëri [Jović: 2009/264]. Si student i shkëlqyeshëm universitar, ai kishte bindje nacionaliste. Babai i tij ishte arrestuar për shkak se “në dimitë e gruas së tij” ishte gjetur një armë pa leje [VečernjiList, 8.09.1987], për të cilën “Politika” kishte botuar kryeartikullin [Politika, 8.09.1987]. Autoritetet i arrestuan familjarët e Kelmendit dhe i morën në pyetje në burgun e Prizrenit, kurse motrën 16-vjeçare, Melihaten, e përjashtuan nga shkolla.

Gjykata Speciale konstatonte se rasti kishte të bënte me “ato që janë mësuar të urrejnë në vend që të duan”, se: “ata që i kanë rritur i kanë frymëzuar me nacionalizëm, që do të thotë të duan vetëm kombin e tyre dhe të urrejnë kombet tjera” [Nin, 11.09.1987]. Ishte e mjaftueshme një konstatim i tillë për t’u dhënë të kuptojnë se “sa e vështirë ishte jeta e serbëve në Kosovë”, situatë që kërkonte zgjidhje emergjente. Ndjekja penale nuk gjeti ndonjë motiv tjetër, përveç “dëshirës së shqiptarëve për të goditur kundër pjesës tjetër të Jugosllavisë”. Për këtë arsye, rasti i Kelmendit mbeti tabu dhe askush prej komunitetit serb nuk kërkoi të bëheshin hetime të mirëfillta, për të ndriçuar ngjarjen.

Ata që duhej, në fakt, e dinin se edhe pas kësaj çështjeje fshihej diçka. I tillë, për shembull, ishte mendimi i serbëve “liberalë”, të cilët pretendonin se Kelmendi ishte i keqtrajtuar në ushtri dhe ky ishte shkaku incidentit, si një hakmarrje kundër këtyre keqtrajtuesve. Të tillë mendim kishin edhe shqiptarët, se rasti i Kelmendit ishte për “të marrë hak”, çështje individuale pa ndonjë motiv nacionalist. Të shumtë mendonin se Kelmendi, i cili kishte vetëm pak ditë që ta përfundonte shërbimin, ishte i pafajshëm dhe se gjithë kjo ishte një fabrikim i zakonshëm serb: “një montim i çuditshëm që një shqiptar të vrasë nga një prej secilit komb të Jugosllavisë pikërisht në kohën kur Serbia përpiqej t’ia merrte Kosovës statusin autonom” [Sancaktar: 2010/203-206]. Ngjau në kohën kur më së shumti i duhej Millosheviqit dhe nacionalistëve serbë, si një “benzinë në një zjarr të ndezur”. Sido që të ishte, rekrutët shqiptarë raportonin abuzime të ndryshme brenda raparteve ushtarake të Jugosllavisë [Helsinki Watch: “Open Wounds”], kurse në Kosovë, në fund të vitit 1987, autoritetet jugosllave dërguan 400 oficerë të policisë speciale [Meier: 1999/400].

Kosova, pas ndryshimeve kushtetuese me dhunë nga pushteti pushtues serb, kishte hyrë në rrethanat e shtetrrethimit. Në Fushë-Kosovë një milion serbë ishin tubuar (28.06.1989), për të celebruar 600 vjetorin e Betejës së Humbur. Kasapi Millosheviq, në frymën më shoviniste, bëri një fjalim frymëzues nacionalist: “Pas gjashtë shekujve ne sërish jemi në betejë…” [Silber & Litle: 1995/77]. Ai tha se nuk është më e rëndësishme se “çfarë është historike e çfarë legjendare… jemi në beteja dhe para betejave” [Nin, 2.02.1989]. Ishte hera e fundit që i gjithë lidershipi federal po qëndronin bashkë në të njëjtën skenë të bashkuar me Millosheviqin.

Jeta në Kosovë vërtet ishte bërë e vështirë. Por, jo për serbët, por për shqiptarët. Këtë e dëshmon edhe ngjarja që pasoi në fund të marsit dhe në fillim të prillit të vitit 1990, kur shtypi jugosllav raportoi për mijëra studentë të shkollave shqiptare, të cilët u sëmurën në mënyrë misterioze. Raportet e para lanë dyshime për një mundësi helmimi. E përditshmja zagrebase raportoi se në shkollën “Djuro Djakovic” (Podujevë) dhe “8 Nëntori” një kundërmim i rëndë u shkaktoi nxënësve përgjumje, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje dhe zbehje [Večernji List, 19.03.1990]. Atyre u ndihmuan mësimdhënësit deri në ambulancën më të afërt dhe prej andej urgjentisht u transferuan në spitalin e Prishtinës, ku dr. MuharremAvdiu kishte thënë: “Kemi të bëjmë me një helmim me efekte neurotoksike, raste shumë serioze”. Një nxënëse e kësaj shkolle fliste për një aromë shumë të rëndë në klasë, se hapja e dritareve nuk kishte ndihmuar dhe se disa nxënës ishin alivanosur [Večernji List, 22.03.1990]. Helmime pati në njëzet komuna të Kosovës, përkatësisht në 71% të vendit me 7.421 viktima të identifikuara. Murgesha kroate, e cila kishte shërbyer në Binçë të Kosovës, i shkruante letër gazetës kroate “Glas Koncila“ [6.05.1990] për një vajzë që e kishin varrosur si pasojë e helmimit. Mjekët e spitalit të Prishtinës, që tashmë ishte tejmbushur, nuk e dinin se çfarë po ngjante dhe si t’i diagnostifikonin e si t’i stabilizonin nxënësit.

“Večernji List” [23.03.1990] shkruante për të thëna (nuk thuhet prej kujt), se helmimi ishte një “akt forcash destruktive nga Prishtina në Beograd, një akt fashizoid i dalë nga ideologjia e Vuk Drashkoviqit (rival i Millosheviqit)”. Disa komentatorë e shihnin helmimin si pjesë të planit serb për të provokuar konfrontim ushtarak në pranverën e vitit 1990. Ata kishin arsye të mendonin se akademikët famëkeq serb nuk e harruan zanatin e paraardhësve në shërbim të gjenocidit antishqiptar, duke përsëritur memorandumin serb për zhdukjen e shqiptarëve, siç kishin bërë me 770 fshatra në Nish, Toplicë, Vranjë e Medvegjë përgjatë një shekulli. Ky ishte sulmi më antinjerëzor që nga koha e pasluftës së Dytë Botërore. Si shtesë e këtij incidenti, Maliqi merrte edhe shembullin e provokimeve të armatosura serbe nëpër shumë fshatra të Kosovës.

Lajmin që e jepte shtypi serb dhe pjesa tjetër e shtypit jugosllav në lidhje me rastin ishte krejt ndryshe prej atyre që i kishin dhënë mjekët shqiptar. Sipas tyre kjo ishte thjeshtë “një shpifje e shqiptarëve” [Novosti 8, 28.03.1990], që i shërbente armiqësisë kundër serbëve të Jugosllavisë, bëma e vetë “shqiptarëve separatistë dhe terroristë, të cilët abuzojnë me fëmijët e vet” [Politika, 6.05.1990]. Nxënësit ishin qetësuar vetëm me Vitaminë C dhe nuk kishte fare të bënte me ndonjë helmim të sistemit nervor [Borba, 29.04.1990]. Kështu kishin raportuar zyrtarët në maj të vitit 1990 [Vjesnik, 24.03.1990] bashkë me Akademinë Ushtarake të Mjekësisë [Borba, 1.04.1990]. Kjo ishte “një e pavërtetë e zakonshme e shqiptarëve” [Sell: 2002/40] dhe nëse kishte pasur helmim, duhej të ishte vepër e vetë separatistëve shqiptarë, mjekëve të nacionalitetit shqiptar ose e lobit shqiptar nga jashtë, të cilët nuk kursejnë as fëmijët e vet për t’ia arritur qëllimit të tyre. Në emrin e këtij incidenti, vetëm për dy ditë kishte pasur rreth 50 incidente “hakmarrjesh” kundër serbëve të Kosovës – shkruante “Večernji List” [23.03.1990] dhe “Vjesnik” [4.04.1990].

Nxënësit e kishin akuzuar nxënësen Dragana Nikoliq dhe nxënësin Nebojša Djukalić për sjelljen e helmit në klasë [Večernji List, 23.03.1990]. Banorët shqiptarë të Podujevës dhe të Mitrovicës kishin raportuar njerëz të dyshimtë duke lëvizur rreth shkollave. Disa njerëz thanë se kishin parë “të panjohur” duke hedhur një lloj “pluhuri”, por autoritetet nuk bënë asgjë për ta hetuar çështjen. Disa të tjerë kishin raportuar gjurmë të mbetura bombolash e mekanizmash, por autoritetet i kishin ndaluan hetimet! Çfarë mund të ishte arsyeja?

Derisa shumica e vëzhguesve të OKB-së besonin në atë kohë se incidenti ishte një rast histerie masive, toksikologu i OKB-së konkludonte se “Sarin” dhe “Tabun”, dy substanca helmuese që përdorën për armët kimike, ishin të pranishme në gjakun që ua kishin marrë për analiza fëmijëve të Kosovës [Malcolm: 1998]. Sipas akademikut Idriz Ajeti: “Akti i helmimit është i tmerrshëm” [Rilindja, 23.03.1990]. Të njëjtin rezultat e kishin gjetur edhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë në deklaratën e A. Heyndricky-t – drejtor i Laboratorit Universitar në Belgjikë, e dhënë më 8 shkurt 1992. Ai tha se helmimi ishte një akt gjenocidi dhe kërkoi që të shqyrtohet në Tribunalin e Hagës. Sipas të përditshmes sarajevase “Oslobodjenje”, diçka të tillë kishte raportuar edhe mjeku francez Dr. Bernar Benedetti: “Në Kosovë pati helmime… deri tani të paidentifikuar” [Oslobodjenje, 15.09.1990]. Pas analizave që bëri në dy laboratorët e Parisit, ai pohoi se kishte gjetur “molekula klororganike” në gjakun e fëmijëve të helmuar. Mjekët shqiptarë, S. Dobreci, Z. Hundozi, L. Gashi, L. Luci, K. Gazideda, A. Zajmi dhe I. Dedushaj, lëshuan raportin “Faktet dëshmojnë për helmimin në Kosovë”. Ata ishin të sigurt se kjo histeri nuk mund të shpjegohej ndryshe, veçse si helmim masiv i popullatës shqiptare. David Graig e vulosi me konstatimin e dr. Bemar Benedetti-t: “Ky krim është bërë nga agjentët e Beogradit”. Më vjen mirë – shkruante nga Suedia Goran Vasenius – që libri im zgjoi nga gjumi botën që ishte verbuar nga propaganda e Millosheviqit [zëri.info – 14.01.2016].

Helmi i radhës erdhi në vitin pasues (1 shtator 1991), kur u ndalua mësimi në gjuhën shqipe, ndërsa shkollat u mbushën me pjesëtarë të policisë dhe të ushtrisë serbe. Edhe kjo ishte pjesë e planit serb për barazimin e numrit të studentëve shqiptarë me atë të studentëve serbo-malazezë [Tanjug, 6.02.1991]. Një vit më pas (21.10.1991) “Tanjug” dha lajmin e mbylljes së shkollave shqiptare të Kosovës [Carter& Norris: 1996]. Në Universitetin e Prishtinës rektori deklaroi se gjuha shqipe do të mësohej si gjuhë e huaj [Radio Beogradi, 25.08.1992]. Mijëra profesorë, që refuzuan të japin mësim sipas plan-programit serb, u përjashtuan dhe u zëvendësuan me serbë [ATA, 19.08.1992]. U ndalua edhe botimi i librave për 500.000 studentë [Poulton&Taji-Farouki: 1997/162]. Kjo i detyroi shqiptarët që mësimin ta fillojnë nëpër shtëpi private në kushte skajshmërisht të vështira.

Ngjarjet e mëdha të atyre viteve, që lidheshin me planin e përgjithshëm serb për pastrimin etnik, e detyruan popullatën që ta krijojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila u përpoq t’i rezistojë këtij plani. Sabrina Ramet-i e ka krahasuar çështjen e Kosovës me çështjen e Palestinës: “Dy komunitete etnike, me gjuhë të ndryshme dhe tradita të ndryshme fetare i mbështesin pretendimet e tyre mbi të njëjtat territore, duke formuar dëshmi mbi argumentet historike” [Ramet: 1991/174]. Në kushte normale, secilit që i bie për hise të bëjë “pazare” e marrëveshje për truallin e Kosovës, duhet t’i sjellë këto ngjarje ndër mend, në mënyrë që nesër të mos bëhet objekt mallkimi i popullit që e përfaqëson. /Shenja/