Kosova në Bordin e Paqes, pse kjo është më shumë se simbolikë?

Kosova është një shtet i ri dhe i vogël, e jo fuqi ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, ajo ka nevojë të jetë e pranishme, e dukshme dhe aktive në sa më shumë ngjarje dhe forume ndërkombëtare.
Vëmendja ndërkombëtare nuk vjen vetvetiu; ajo ndërtohet përmes pranisë së vazhdueshme e pozicionimit të duhur diplomatik dhe angazhimit në temat globale.
Ngjarje si Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ku marrin pjesë liderët më të fuqishëm të botës, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë hapësira ku shtetet e vogla mund të përfitojnë dhe të ndërtojnë lidhje strategjike.
Në këtë kontekst duhet parë edhe pjesëmarrja si themeluese e Kosovës në Bordin e Paqes për Gazën të nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani.
Ky nuk është thjesht një akt formal apo simbolik, por një mundësi konkrete për ndërkombëtarizim, avancim diplomatik dhe rritje të peshës së saj në skenën globale. Sidomos kur ky forum zhvillohet nën një ndikim të qartë të Shteteve të Bashkuara, aleatit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës.
Në këtë bord janë të përfaqësuara edhe një sërë shtetesh që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, përfshirë Argjentinën, Kazakistanin, Armeninë, Azerbajxhanin, Marokun, Indonezinë, Uzbekistanin, Paraguajin dhe të tjera. Kjo e bën këtë platformë veçanërisht të rëndësishme, sepse krijon hapësirë për kontakte direkte, dialog politik dhe ndërtim besimi, elemente që shpesh mungojnë në diplomacinë klasike bilaterale.
Njohjet ndërkombëtare nuk vijnë si rezultat i një vendimi të vetëm apo i një fushate të shpejtë.
Ato ndërtohen gradualisht, përmes ekspozimit, bashkëpunimit dhe krijimit të perceptimit se një shtet është faktor stabiliteti dhe partner i besueshëm. Prania e Kosovës në forume të tilla kontribuon drejtpërdrejt në këtë proces.
Kosova ka interes strategjik të jetë pjesë e çdo forumi rajonal, evropian dhe global ku diskutohen çështje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Një angazhim aktiv dhe konstruktiv në këto platforma e pozicionon atë si palë kontribuuese dhe jo thjesht si përfituese të rendit ndërkombëtar.
Po aq e rëndësishme është edhe rrethana politike në të cilën po ndodh kjo prani. Angazhimi i Kosovës në një forum të mbështetur dhe të ndikuar nga Shtetet e Bashkuara, përkon me një periudhë kur administrata amerikane, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, pritet të mbetet në krye të politikës ekzekutive edhe për së paku tre vjet të tjerë. Kjo krijon një kanal afrimi politik dhe diplomatik me administratën aktuale amerikane, në një moment kur rreshtimi strategjik dhe besueshmëria kanë peshë konkrete në vendimmarrjen globale.
Ky është një pozicionim i drejtë i politikës së jashtme dhe një investim afatgjatë në interesin shtetëror të Kosovës dhe kështu duhet të veprohet edhe në hapat për integrim euro-atlantik edhe vendet tjera nga Bashkimi Evropian./Telegrafi/




















































