Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes së paqes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë zyrtare, MPJD ka vlerësuar lart lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në këtë proces, si dhe ka përgëzuar përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë, Katarit dhe Egjiptit, të cilat kanë qenë thelbësore në arritjen e këtij zhvillimi historik.


“Marrëveshja përfaqëson një hap vendimtar në zbatimin e fazës së parë të nismës për paqe në Gaza të Presidentit Trump, duke mundësuar vendosjen e një armëpushimi të plotë, lirimin e pengjeve dhe zgjerimin e ndihmës humanitare për civilët në nevojë në Gaza,” thuhet në njoftim.

Kosova rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, duke shprehur besimin se ky zhvillim do të hapë rrugën për një stabilitet të qëndrueshëm në rajon, në dobi të të gjithë popujve. /Telegrafi/