LAJMI I FUNDIT:

Kosova mbetet pa vaksina

Kosova mbetet pa vaksina

Institucionet shëndetësore primare kanë mbetur pa vaksina në disa komuna të Kosovës. Zyrtarët shëndetësorë në Prishtinë thonë se nëse do të ketë vonesa të shprehura, atëherë është rrezik të çrregullohet programi i imunizimit të fëmijëve. Ndërkohë ata të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, shprehen se vaksinat do të vijnë së shpejti dhe nuk ka vend për panik

Luan Mujaj e kishte sjellë fëmijën e tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë për ta vaksinuar.


Por, mungesa e vaksinave në punktet shëndetësore, ka bërë që Mujaj të kthehet në shtëpi pa kryer punë.

“Nuk ka vaksina tash e disa javë. Na thanë që shpejt do të vijnë. Ky është problem serioz për ne prindërit, pasi nuk dimë nëse këto shtyrje mund të rrezikojnë apo jo shëndetin e fëmijëve”, ka thënë Mujaj për “Zërin”.

Ai ka treguar se probleme me vaksinat ka pasur edhe ditë më parë, kur një familjare e tij kishte sjellë një fëmijë për vaksinim.

“Një kushërirë e imja më tha që nuk ka vaksina. Por, mendova që i kanë sjellë. Tash po e shohim që nuk paska”, ka thënë ai.

Vaksinat mungojnë nga 15 shkurti

Në drejtorinë komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, pranojnë se ka probleme sa i përket furnizimit me vaksina.

Por, thonë se nëse ato do të vijnë brenda disa ditësh, atëherë nuk ka vend për t’u shqetësuar.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë për “Zërin” se në Qendrat Mjekësore Familjare të Prishtinës ka mungesa të disa llojeve të vaksinave.

“Mungesat e para kanë filluar të ndihen më 15 shkurt. Ndërkaq, prej të hënës më nuk kemi asnjë vaksinë”, ka thënë i pari i shëndetësisë së kryeqytetit. Ai ka shtuar se nëse deri në fund të muajit do të sillen vaksinat, atëherë nuk ka shumë hapësirë për shqetësime. /Zëri/