LAJMI I FUNDIT:

Kosova fiton pavarësinë energjetike, Thaçi falënderon miqtë ndërkombëtarë

Kosova fiton pavarësinë energjetike, Thaçi falënderon miqtë ndërkombëtarë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se marrëveshja e votuar sot në mes të KOSTT-ENTSO-E është një arritje e madhe e Kosovës dhe shembull se si duhet vazhduar përpara drejt realizimit dhe synimeve strategjike.

Thaçi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka falënderuar miqët ndërkombëtarë për përkrahjen e vazhdueshme.


Postimi i plotë i Thaçit:

“Nga sot Kosova është e pavarur edhe në fushën e energjisë. Është votuar Marrëveshja e Kyçjes së re nga Grupi Rajonal i Evropës Kontinentale, trup i ENTSO-E, me të cilën ka filluar përmbyllja e procesit të gjatë dhe të mundimshëm të pavarësimit të rrjetit energjetik të Kosovës, përkundër rezistencës së Serbisë.

Kjo është një e arritur e madhe e Kosovës dhe shembull sesi duhet vazhduar përpara drejt realizimit të synimeve tona strategjike.

I jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë për përkrahjen e vazhdueshme dhe për përkrahjen e tyre në implementimin e kësaj marrëveshjeje”,  ka shkruar Thaçi.

Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi të hënën është votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari.