Në konferencë për shtyp, përzgjedhësi i Kombëtares së Sllovenisë, Matjaz Kek, prezantoi listën e lojtarëve të thirrur për ndeshjet e para në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Sllovenia do të përballet fillimisht me Suedinë dhe Zvicrën në kuadër të Grupit B, ku bën pjesë edhe Kosova.


Kek bëri analizën e tij për grupin, duke folur edhe për Kosovën si kundërshtare direkte e grupit.

"Nuk shoh asnjë ekip në grup që nuk mendon të avancojë, por po ashtu nuk ka asnjë skuadër që e ka siguruar tashmë një vend në Kupën e Botës. Do të kërkohet shumë nga Sllovenia, por duhet të jetë e duhura. Kjo është e vetmja mënyrë për të menduar për Kupën e Botës".

"Kosova është në ngritje, Suedia ka emra të mëdhenj, veçanërisht në sulm, dhe Zvicra, që gjithmonë është prezente, ka stilin e saj të lojës dhe shpesh surprizon pozitivisht. Më pëlqen kur nuk na marrin seriozisht, kur jemi autsajdera – atëherë jemi më të rrezikshëm. Ky është një grup që të jep mundësinë të arrish diçka, nëse je i duhuri dhe nëse lojtarët japin gjithçka, ashtu siç kanë bërë së fundmi", u shpreh përzgjedhësi slloven.

Në renditjen e FIFA-s, Zvicra ndodhet në pozitën e 19-të, Suedia në të 29-tën, Sllovenia në të 50-tën, ndërsa Kosova mban vendin e 95-të.

Fituesi i grupit do të sigurojë kualifikim të drejtpërdrejtë në Kupën e Botës, ndërsa skuadra e vendit të dytë do të shkojë në fazën shtesë të play-off-it.

Në muajin tetor, Kosova do të luajë fillimisht në shtëpi ndaj Sllovenisë, ndërsa në nëntor do të jetë mysafire. /Telegrafi/

telegrafi sport app