LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshjen financiare prej 64 milionë eurove në kuadër të IPA III

Kosova dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshjen financiare prej 64 milionë eurove në kuadër të IPA III

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi së bashku me ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog kanë nënshkruar marrëveshjen financiare në vlerë prej 69.96 milionë euro në kuadër të Programit IPA III.

Bislimi tha se IPA 2021 është marrëveshja më e madhe që ka Kosova me BE-në, shkruan Telegrafi.


“IPA 2021 është marrëveshja ma e madhe financiare që ka Kosova. Numri i projekteve është shumë i madh, por ajo se çfarë kemi bërë për shkak të vonesave që janë shfaqur gjatë pandemisë COVID-19, një pjesë e projekteve IPA II i kemi shtyrë afatet, ndërsa projektet që kanë rezultuar me kursime i kemi bartur në IPA III”, tha Bislimi.

Ai shtoi se të gjitha këto projekte që janë janë në IPA III pritet të përfundojnë në afat prej tre vitesh.

“Të gjitha projektet që janë negociuar kanë një afat kohor prej tre vite. Mirëpo, ka mundësi që nëpërmjet amendamenteve projekteve t’iu zgjatet afati i zbatimit”, shtoi ai.

Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së tha se programi IPA III ka për qëllim të sjell zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ai tha se përmes këtij programi synohet kryesisht mbrojtja e ambientit, por edhe çështje të tjera me rëndësi, siç janë projektet për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Projekti më i madh është për KEK-un, ne jemi të përqendruar në ruajtjen e ambientit kjo është pjesa më e madhe e paketës prej 16 milion për ruajtjen e ambientit. Një shumë të konsiderueshëm të mjeteve i kemi për përmirësimin infrastrukturor të komunave nëpërmjet granteve të performancës për komuna, që kap vlerën prej 15 milion eurove, e që është shumë e rëndësishme për komunat. Po ashtu kemi afër 15 milion euro për përafrim me BE-në, që nënkupton se duam që Kosova të afrohet sa më shumë me Bashkimin Evropian”, tha Szunyog.

Pas këtij nënshkrimi nisin procedurat për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/