Autore: Donjeta Rexhbogaj

Në Kosovë, korrupsioni nuk është vetëm një fjalë që e dëgjojmë në lajme apo një statistikë që përmendet në raporte vendore dhe ndërkombëtare. Por për shumicën prej nesh, ai ka një fytyrë shumë më të thjeshtë dhe më të përditshme, sepse është ndjenja dhe përvoja që na shoqëron kudo, duke filluar nga sporteli i komunës, te spitali, universiteti, e deri te zyrat që ekzistojnë për t’i shërbyer qytetarëve.


Është ndjenja që të kap kur pret me ditë të tëra për një dokument të thjeshtë, kur dërgon dhjetëra emaila që askush nuk i lexon, ose kur dikush ta thotë me lehtësi: “gjej dikë që e njeh”. Kjo është një formë shumë e përhapur e korrupsionit, që nuk matet vetëm me para, por me lidhje. Është korrupsioni që na mëson se për t’u trajtuar me respekt, duhet të njohësh dikë; që e kthen çdo proces publik në test durimi, që prek dinjitetin dhe besimin e qytetarit.

Kam përjetuar vetë këtë realitet. Për një dokument administrativ, më është dashur të dërgoj dhjetëra emaila, të pres me ditë të tëra pa përgjigje, të telefonoj numra që s’përgjigjen kurrë, t’i kontaktoj personat edhe në rrjete sociale dhe, në fund, të kërkoj dikë që “e njeh dikë”. Ky nuk ishte rast i izoluar; ishte pasqyrë e një sistemi që shpërblen lidhjet, jo rregullin dhe barazinë. Pra, korrupsion tjetër, ai i vogli, i heshturi, i përditshmi, që e prek drejtpërdrejt jetën e secilit prej nesh.

Në thelb, problemi nuk është vetëm ligjor, por sistemik. Administrata publike nuk ka kulturë shërbimi, sepse kurrë nuk është ndërtuar si shërbim. Punonjësit publikë nuk e shohin qytetarin si qëllim të punës së tyre, andaj edhe në mungesë të përgjegjësisë publike, detyrohemi të përshtatemi me ritmin dhe indiferencën e tyre. Në çdo sektor, nga arsimi deri te shëndetësia, nga komunat deri te agjencitë qendrore, përsëritet i njëjti model – mungesë transparence, vonesa të panevojshme dhe komunikim i dobët.

Raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare, si BIRN, tregojnë se shumë raste të korrupsionit edhe në nivel të lartë përfundojnë pa dënime efektive dhe zvarritje të proceseve gjyqësore. Nga dhjetëra raste të monitoruara, thuajse asnjë nuk ka verdikt përfundimtar nga gjykata. Në një vend ku edhe krimet e mëdha ndëshkohen me vonesë ose harresë, çfarë shprese mund të ketë një qytetar për një dokument të thjeshtë që pret javë të tëra?

Pikërisht ky fenomen ka krijuar një realitet të hidhur dhe, në këto kushte, shumë njerëz dorëzohen dhe kërkojnë medoemos “zgjidhjen alternative”. Ky është korrupsioni që e shemb besimin e qytetarit te shteti, sepse çdo vonesë, çdo “prit edhe pak”, çdo “s’e di kush e ka nënshkrimin” është formë e heshtur e abuzimit me pushtetin.

Ne mësojmë ta anashkalojmë sistemin në vend se ta përmirësojmë. Kjo heshtje, herë e detyruar e herë e vetëpranuar, është hallka që mban gjallë një sistem të sëmurë. Por ky sistem nuk është i pashpresë dhe ndryshimi mund të nisë nga gjëra të vogla, si transparenca, llogaridhënia, respekti ndaj qytetarit. Por, kjo kërkon një kthesë të brendshme në mënyrën si e kuptojmë shërbimin publik. Institucionet publike duhet të fillojnë të matin suksesin e tyre jo me sa dokumente prodhojnë, por me sa qytetarë janë të kënaqur. Duhet të krijohen mekanizma të qartë transparence, ku çdo vonesë të ketë arsye të dokumentuar.

Një ide e thjeshtë, por e efektshme, do të ishte që çdo institucion publik të ketë një faqe të qasshme ku qytetarët mund të raportojnë për vonesa apo trajtim jo profesional dhe ato raportime të publikohen me zgjidhje. Një formë e tillë e llogaridhënies do të krijonte presion pozitiv që zyrtarët të kryejnë detyrat me përkushtim. Po ashtu, duhen investuar trajnime për kulturën e shërbimit publik që çdo punonjës të kuptojë se paga e tij paguhet nga taksat e atyre që u shërben.

Edukimi është një tjetër shtyllë kyçe. Në shkolla e universitete duhet të diskutojmë hapur për korrupsionin, jo vetëm si krim, por si mënyrë e gabuar jetese që shkatërron besimin shoqëror. Brezat e rinj duhet të mësojnë se të kërkosh llogari nuk është mosrespekt apo arrogancë, por detyrim qytetar.

Në fund, lufta kundër korrupsionit është shumë më tepër se luftë kundër disa individëve dhe nuk do të marrë fund me një vendim gjykate apo me një reformë të vetme. Është përballje me një mentalitet që na ka lodhur të gjithëve dhe përpjekje për të rikthyer dinjitetin në marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit. Të gjithë mund ta dimë sa e vështirë është të mos dorëzohesh kur çdo hap i thjeshtë shndërrohet në pengesë burokratike, por besoj se ndryshimi fillon pikërisht aty: kur refuzon të bëhesh pjesë e lojës.

Nuk kemi nevojë për më shumë justifikime, por për më shumë zëra që thonë: “kjo s’mund të jetë normale”. Korrupsioni që na mëson të heshtim mund të mposhtet, kur ne mësojmë të flasim.

* “Ky editorial është përgatitur në kuadër të garës së eseve kundër korrupsionit, që KDI ka realizuar mes të rinjve, përfshirë pjesëmarrësit në Akademitë Kundër Korrupsionit, të organizuara në të gjitha rajonet e vendit. Qëndrimet dhe vlerësimet në editorial janë autoriale, dhe nuk pasqyrojnë medoemos qëndrimet e KDI-së dhe të Telegrafit. Kurse, aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij programi, përkrahen nga Qeveria Suedeze, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.