Korrupsioni në Kosovë, një sfidë e përhapur që cenon të drejtat e njeriut dhe besimin qytetar

Korrupsioni në Kosovë mbetet një fenomen i përhapur që cenon drejtpërdrejt ushtrimin e të drejtave themelore në vend.
Ky është përfundimi kryesor i raportit që u prezantua sot në tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit me temën “Ndikimi i korrupsionit në të drejtat e njeriut.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se korrupsioni mbetet një problem i thellë shoqëror që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetare dhe në funksionimin e shtetit ligjor.
“Kur e kemi filluar idenë me e trajtuar këtë çështje, nuk ka qenë për neve fare e zorshme, ta them, me e identifiku si problem shoqëror. Për arsye se korrupsioni edhe ndikimi në jetën tonë, natyrisht është parë gjithmonë më shumë prej dimensionit të perceptimit të qytetarëve, por edhe në bazën e vlerësimeve të shumta që janë bërë nga organizatat e shoqërisë civile...
Por, ka qenë e vështirë me e vendosur se mbi cilën metodologji do ta hetojmë ose do ta vlerësojmë këtë fenomen, këtë dukuri. Dhe natyrisht, ne kemi zgjedhur metodën e anketimit dhe të intervistimit, si dy prej metodave që besoj janë më burimore, janë më autentike në marrjen e qëndrimeve dhe perceptimit të qytetarëve. Rezultatet e anketës dhe intervistave, krejt hulumtimit që është kryer, na ka dalë aty ku e kemi pritur. Në disa situata ndoshta diku ndryshon, gjë që na lë të kuptojmë sa e rëndësishme është para se me dalë me qëndrime me pas vlerësime të kësaj natyre”, tha ai, raporton KP.
Ai vlerësoi bashkëpunimin institucional dhe nevojën për diskutime të hapura për përmirësimin e gjetjeve. Sipas tij, korrupsioni ndikon në thelb në të drejtat e njeriut dhe në dinjitetin e qytetarëve.
“Por, çka është me rëndësi, është që bashkëpunimi me institucionet deri tek nxjerrja e rezultateve nga kjo anketë ka qenë tepër i mirë, gjë që dua me i shpreh një falënderim të veçantë për të gjitha ato institucione që kanë bashkëpunuar edhe kanë dhënë materialet e mjaftueshme për me mujt na me mbërri me dalë deri te një vlerësim i tillë. Unë mendoj që prek thelbësisht jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe sundimin e ligjit, edhe barazinë para ligjit, edhe çdo aspekt që lidhet me jetën tonë të përditshme, e që e përkthejmë në të drejtat e njeriut, çfarë na mbërrin deri tek dinjiteti që është ombrella ose që është pjesa më përmbajtjesore e krejt asaj pse ekzistojnë këto të drejta të përshkruara me akte ndërkombëtare”, tha Qelaj.
Nga ana tjetër, këshilltarja për sundimin e ligjit, demokracisë dhe qeverisjes, Fjolla Koshi nga GIZ theksoi se sundimi i ligjit është themel për çdo zhvillim dhe se korrupsioni cenon besimin e qytetarëve.
“Projekti ka fusha të ndryshme, gjithsej janë pesë që janë më të rëndësishmet, por një ndër to është edhe qasja në drejtësi. dhe gjithçka që hyn në ombrellën e kësaj fushe si të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit e kështu me radhë.
Ne si GIZ i japim rëndësi shumë kësaj fushe duke qenë se është bazament për çdo nismë tjetër, pa sundim të ligjit, pa të drejtat e njeriut, çka tjetër mund të funksionojë. Një pika të shkurta, ideja që ndikimi i korrupsionit nuk është vetëm çështje, sfidë institucionale, por gjithashtu është edhe ndikim i drejtpërdrejtë në të drejtat e njeriut, qasjes në drejtësi, shërbimeve të qytetarëve dhe gjithashtu ndikon edhe në besimin e qytetarëve të Kosovës nëse kemi sfida të tilla”, tha Koshi.
Kjo tryezë e sotme është organizuar nga Avokati i Popullit në bashkëpunim me GIZ-in dhe me Institutin Riinvest. /KP/




















































