LAJMI I FUNDIT:

Koronavirusi dhe rreziku tjetër i infodemisë

Koronavirusi dhe rreziku tjetër i infodemisë

Për shkak të prirjes së qytetarëve për të shpërndarë çdo informacion që lexojnë – të paverifikuar dhe shpesh të rremë – dezinformatat kanë depërtuar tek opinioni i gjerë. Ky fenomen është i pranishëm qëkur nisën raportimet për koronavirusin (COVID 19). Ndaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë nisi të përdorë termin ‘infodemi’ për të etiketuar dezinformatat e shpërndara për pandeminë e fundit globale. Kështu, shoqëritë në mbarë globin, përveç betejës kundër koronavirusit duhet të luftojnë edhe infodeminë: ‘sëmundjen’ që ka ‘infektuar’ informacionet përmes të pavërtetave.

Jetojmë në kohë të mbushur me dezinformata, por ato kohëve të fundit u orientuan më shumë në temën e koronavirusit – për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për të kuptuar diçka më shumë rreth këtij virusi, qoftë për rrezikshmërinë apo edhe për masat mbrojtëse.


Koronavirusi u shfaq në fund të vitit të kaluar në Vuhan të Kinës. Krahas raportimeve të para të sakta, u shpërndanë edhe dezinformatat përmes rrjeteve sociale – si Facebook, Twitter, YouTube, Viber, WhatsApp etj. – të cilat ndër vite që janë dëshmuar si burime të papërshtatshme për informim.

Gjatë tre muajve janë krijuar 4,000 ueb-faqe të reja që përmendin koronavirusin në emërtim e ku tre për qind e tyre janë krijuar për të shpërndarë dezinformata. Megjithatë, rrezikshmëria më e madhe nga infodemia është përhapja e dezinformatave nga vet qytetarët.

Në Kosovë, qytetarët e mbyllur në shtëpitë e tyre, më shumë se çdo herë tjetër po informohen përmes Facebook-ut. Dezinformatat më të mëdha që janë shpërndarë pikërisht nga ta, ndër të tjera ndërlidhen me atë se “fëmijët janë imunë ndaj koronavirusit” apo se “ekziston vaksina për koronavirusin”.

Informatat duhet analizuar me gjykim kritik. Përndryshe do të kontribuojmë në shpërndarjen e infodemisë që mbi të gjitha prodhon panik te publiku. Ndaj, sikur për pandeminë për të cilët kërkohet të ndërmarrim masa parandaluese, edhe ndaj infodeminë duhet të marrim masa duke fshirë faqet e dëshmuara për dezinformata, si dhe duke verifikuar informacionet e marra në mediat sociale – duke i krahasuar ato me burimet zyrtare ose ato të plasuara nga mediat serioze.