Kontrolle ndaj autobusëve në Prishtinë, gjoba për shoferët që nuk respektojnë stacionet

Policia e Kosovës ka nisur kontrolle të shtuara ndaj shoferëve të autobusëve në kryeqytet, me qëllim që të sigurojë respektimin e rregullave të komunikacionit dhe mbrojtjen e sigurisë së udhëtarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, njësia e trafikut urban po ndërmerr masa kundër shoferëve që nuk ndalen në stacionet e përcaktuara ligjërisht, duke rrezikuar kështu qarkullimin e rregullt dhe jetën e pasagjerëve.
“Policia apelon te të gjithë shoferët e autobusëve që të ndalen vetëm në vendet e caktuara dhe të tregojnë kujdes maksimal për jetën dhe sigurinë e udhëtarëve”, thuhet në komunikatë.
Ky aksion, sipas Policisë, synon jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe shmangien e rreziqeve të mundshme për qytetarët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik. /Telegrafi/



















































