Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu theksoi sot se nuk bllokohet shteti sepse aty dikush do të tregojë që e ka mirë e ai tjetri e keq.

Kryeziu në një postim në Facebook kërkon që të votohet cilido kandidat që del nga shorti dhe të mbyllet kjo histori, ndërkaq kushdo që ka pakënaqësi le t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.


Lexoni të plotë postimin e tij:

Tani që konstituimi i Kuvendit ka ngelur peng vetëm për shkak të dështimit për të zgjedhur nënkryetarin e fundit, partitë politike nuk duhet ta marrin mbi vete rolin e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk bllokohet shteti sepse aty dikush do të tregojë që e ka mirë e ai tjetri e paska keq. Aman votojeni cilindo kandidat që del nga shorti dhe mbylleni këtë histori. Kushdo që ka pakënaqësi le t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Meqenëse Kryesia e Kuvendit është organ kolegjial, ku kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje është shumica e thjeshtë, pra katër nga gjashtë sa janë gjithsej, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta anulojë zgjedhjen e të gjithë Kryesisë së Kuvendit. Masa më drastike që Gjykata mund të vendosë është rivotimi për kandidatin serb, veçmas apo në pako pak ka rëndësi.

Bëni diçka ndryshe, sepse ajo çka po bëni është fatkeqësi shtetërore. /Telegrafi/