LAJMI I FUNDIT:

Konservatorët, reformatorët dhe pylli që po digjet

Konservatorët, reformatorët dhe pylli që po digjet

Në Kosovë nuk ka parti që emërtohet si konservatore, por nuk mund të thuhet se nuk ka as konservatorë. Politika jonë vlon prej tyre. Në fakt dominohet, sundohet prej tyre. Te ne vështirë dallohen epokat, sikur në vendet problematike afrikane apo aziatike të cilat u zgjuan vonë, por hovshëm nga gjumi, dhe përjetuan një zhvillim të shpejtuar, industrial, post industrial, madje dhe post-post industrial – epokë kjo të cilës ideatorët ende nuk i kanë vënë emër.

Për më tepër, ka tendenca, nga liderë të rinj e të vjetër që merren me inovacione politike, që sërish të zbulohet rrota dhe meritat për këtë të merren jo vetëm individualisht, partiakisht, por edhe lokalisht, regjionalisht, e madje edhe kombëtarisht.


Ka që zbulojnë edhe kombe, sepse rrota është rizbuluar tashmë disa herë dhe nuk sjell aq pëlqime nëpër rrjete sociale. Këta pëlqehen sidomos ndër fqinjët, që teshtijnë sa herë përmendet kombi shqiptar. E, nëse nuk ka pëlqime të porositura nga automati, apo të dërguara prej zemre, kot politika. Edhe politika si gjithçka, në trend të modernizimit të skajshëm, zhvillohet në rrjete sociale. Kryesisht në “Facebook” për popull, por edhe në “Twitter” për elitën, apo në tjerat, në trapazan te rinia dhe grupet e tjera të… harruara.

E kur jemi te rrota, “rrotë” dihet kush është në politikën tonë. Rrotë traktori, ajo e pasme, madje krejt në kuptimin e metaforës politike, rrotë historike, e madhe, e pasme, kardashiane, apo në versionin lokal, “kallashiane”. Por, edhe pse kjo e fundit u zhduk nga pista e vallëzimit dhe nga politika, të gjithë e dinë se ajo është këtu, fare pranë nesh dhe ende duke e dridh, e bashkë me të dridhet edhe pista e vallëzimit, politik dhe ekonomik. Nejse, vendi ynë ekonomi nuk ka, por politikën e kemi rrush, serial. Pra, po dridhet, gjithçka po dridhet, sidomos te Qeveria…! Ai po e dridh. Rrota!

Nejse, gjithçka që vjen pas lidhëzës “por”, është po e dini çka?! Dikush mund të thotë se në Kosovë nuk ka as reformatorë. Disa thonë se më shumë se reformatorë ka restaurues të lëvizjeve dhe doktrinave të vjetruara, të hedhura në përmasa globale, apo në rastin më të mirë ka përzierje, receta lokale me mish të prishur brazilian!

Bota e ideve dhe politikës ngjanë me dyqane me mall të përdorur. I blen kostumet e modës së fundit, të shtrenjta, të veshura vetëm disa herë, ose një super veturë të vozitur vetëm nga një “plak/ë” dhe vjen këtej për pushime, krejt “firmato”. Vjen tipi nga një “bordello” dhe ulet në “saf” të parë të politikës, apo të moralit publik.

Pra, harrojeni gjithçka që u tha para lidhëzës “por” dhe vazhdojmë me ultimatumin presidencial, 48 orësh, me listat zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti të cilat i fituan zgjedhjet e gjashtë tetorit, me një përparësi të vogël të kësaj të parës. Tash, kjo përparësi, në bazë të interpretimit të Kushtetutës, nga zgjedhjet e para parafundit, del të jetë shumë e madhe, vendimtare gati, pasi sipas disave Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja e cila mund të propozojë mandatarin në dy përpjekje për të formuar Qeverinë dhe në rast dështimi shkohet domosdo në zgjedhje të reja. Por, interpretimi i Gjykatës kushtetuese i vitit 2014 duket se është përshtatur për “rrotën”. Ai vendosë në fund.

Këtu vijmë te titulli i kolumnes së sotme. Konservatorët po luftojnë me të gjitha forcat. Në shtet, shoqëri dhe parti, kundër reformatorëve të cilët shpesh duket se janë veç kopje filmash të shikuar me qindra herë nëpër faqet pa pagesë, online! Por, ka edhe risi, ka edhe sakrifica, asketizëm, histori, ka gjithçka në këtë Kosovën tonë të izoluar nga ajo që ne po e quajmë bota moderne e cila kërkon nga ne të jemi më të përsosur se ajo vet, për të na pranuar në gjirin e saj. E ku futet “gjarpri” në gji, thotë Evropa?!

Konservatorët, meqë ra fjala, i ke gjithkund. Ata duan të konservojnë të vjetrën, në shoqëri, e të arriturat personale e grupore, familjare, regjionale në shtet. Pasi shteti ynë është i ri, edhe konservatorët edhe reformatorët ngatërrohen shpesh, sidomos kur retorika e tyre na kujton filmat bardhë e zi. Kështu, edhe reformatorët e kanë të vështirë të pranohen si njerëz të progresit, pasi që edhe progresi më nuk është çfarë ishte dikur. Nëpër debate gladiatorët bluajnë gjithçka, dhe vështirë të dallohet se cila shkollë e politikës janë. Më lehtë e ke të dallosh nga cila kafene, apo cila lagje, vijnë.

Reformatorët dhe konservatorët i ke edhe brenda një familje, brenda një partie, për shembull, në LDK. Reformatorët në lista zgjedhore, konservatorët në krye të partisë. Por, konservatorë ke edhe në lëvizjen Vetëvendosje. Disa që duan ende të jenë revolucionarë permanent, edhe disa që duan të kapin shtetin për të vazhduar revolucionin me mjete tjera, legale! Janë lodhur duke qenë të rrahurit. Disa duan të ndërrojnë rolet, duan të rrahin.

A mund të konservohet Kosova? A mund të reformohet? Për çka ka nevojë Kosova? Për ndryshime thanë qytetarët! Për një qeveri ndryshimesh e cila vështirë po krijohet. Për qeveri po thonë edhe mediat, vendore dhe ndërkombëtare. Por, çfarë qeverie: reformatore apo konservatore?

A më thotë kush çfarë do të thonë këto fjalë te ne: mos shihni në fjalorë ndërkombëtarë, as te përkthimet. Më thoni ku duan ta qojnë Kosovën reformatorët dhe ku duan ta mbajnë konservatorët? Kush duhet t’i bëjë këto ndryshime: udhëheqësit e LDK-së, konservatorët apo politikanët e rinj nga lista e tyre zgjedhore? Revolucionarët e LVV-së, përplot merita për fitoren, apo politikanët e importuar të pranueshëm për “të huajt”, të propozuar së fundmi edhe për kabinetin e ri? Kë përfaqëson Albini, dhe kë Vjosa?

T’ua them unë? Ndryshime! Të gjithë duan ndryshime. Edhe ata që ishin në opozitë edhe ata që ishin në krye. Të parët e dimë përse. Po të dytët, përse duan ndryshime? Sepse e kanë kuptuar që nuk shkon më kështu. Të pafuqishmit po çmenden dhe çmenduria është fuqi në një pyll që digjet lehtë. Duhet kompromis për ndryshime, pa e djegur pyllin!