Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga kongresmeni Michael Turner.

Në takim ishte i pranishëm edhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.


Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş informoi delegacionin amerikan për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe për angazhimet e vazhdueshme të këtij misioni në ruajtjen e stabilitetit.

Ai theksoi se përkushtimi i KFOR-it për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt në gjithë territorin e Kosovës mbetet i palëkundur.

Ulutaş vlerësoi gjithashtu kontributin e gjatë dhe të pandërprerë të Shteteve të Bashkuara në kuadër të KFOR-it, duke e konsideruar atë si thelbësor për paqen dhe sigurinë rajonale.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it, institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe reagimit të shpejtë ndaj çdo sfide të mundshme të sigurisë.