Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten në Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës - Sektori i Hetimeve të Policisë Kufitare në nivel të Drejtorisë së Përgjithshme - ka kryer një kontroll operativ në një objekt pa mbishkrim pranë tregut të gjelbër në Prishtinë.

Në njoftim bëhet e ditur se gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë është konfiskuar duhan i grirë, mjaltë e filtera cigaresh.


“Gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë, është konfiskuar si më poshtë: duhan i grirë (refuz) - 511 pako x 500 gr = 255.5 kg pa banderola; mjaltë - 100 pako x 12 copë = 1,200 kg pa asnjë mbishkrim; filtera cigaresh - 21 pako x 10,000 copë = 210,000 copë”, thuhet në njoftim.

Malli është ndalur përkohësisht dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është njoftuar për gjetjet, për të udhëzuar hapat e mëtejshëm proceduralë. /Telegrafi/