Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi si dhe drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Sylejmani akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria.

Akuzat ndaj tyre ndërlidhen me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi gjatë vitit 2018.Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet janë refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.

“Refuzohen si të pabazuara kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruara nga mbrojtësi i të pandehurit Driton Gashi, nga mbrojtësi i të pandehurit Valon Krasniqi, avokati Ekrem Hoxha, nga mbrojtësi i të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani, shkak se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat po akuzohen” thuhet në vendimin e Themelores.

Në vendimin e gjykatës thuhet se gjykata pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesave të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës ka gjetur se këto kërkesa janë të pabazuara.

Kurse, gjykata ka aprovuar si të bazuar kundërshtimin e mbrojtësit të të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokatit Flakron Sylejmani lidhur me disa prova të propozuara nga PSRK.“Aprovohet kundërshtimi i mbrojtësit të të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani për përjashtimin si provë të papranueshme të procesverbaleve të deklaratave të dëshmitarëve Hamit Rukiqi i datës 02.05.2019, dhe me datë 07.11.2019, deklaratat e dëshmitarit Fazli Fazliu e datës 12.03.2019 dhe me datë 01.11.2019, deklaratat e dëshmitarit Ibrahim Mustafa e datës 25.04.2019, deklarata e dëshmitarit Xhemajl Krasniqi e datës 02.04.2019, deklarata e dëshmitarit Shaban Gruda e datës 17.07.2019 dhe e datës 25.11.2019, në bazë të nenit 249 par 3. Të KPPRK-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo gjykatë ka shpallur si prova të papranueshme procesverbalet e deklaratave të dëshmitarëve të lartcekur. /Betimiperdrejtesi/