Komuna nis rehabilitimin dhe rivitalizimin e “Kejit” në Shadërvan

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka filluar punimet për rehabilitimin dhe rivitalizimin e “Kejit” në zonën e Shadërvanit, një prej hapësirave më të frekuentuara të qytetit dhe pjesë e rëndësishme e shëtitores përgjatë Lumbardhit.
Sipas njoftimit komunal, intervenimi ishte i domosdoshëm për shkak të degradimit të sipërfaqeve dhe nevojës për përmirësimin e sigurisë, funksionalitetit dhe pamjes së këtij segmenti të rëndësishëm urban.
Projekti synon rikthimin e estetikës dhe gjallërisë në këtë zonë, e cila mbetet një prej pikave më atraktive për qytetarët dhe vizitorët, përcjell Telegrafi.
Punimet pritet të përfshijnë sanimin e infrastrukturës ekzistuese, rregullimin e hapësirave për këmbësorë dhe shtimin e elementeve që kontribuojnë në përmirësimin e përvojës publike në qendër të Prizrenit.
Komuna ka paralajmëruar se ndërhyrjet do të zhvillohen me kujdes të shtuar për të ruajtur karakterin kulturor e historik të Shadërvanit, ndërsa qytetarët janë ftuar për mirëkuptim gjatë kohës së zhvillimit të punimeve. /Telegrafi/
















































