Komuna e Skenderajt nis mirëmbajtjen dimërore të rrugëve

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se ka nisur mirëmbajtja dimërore e rrugëve në këtë komunë, për shkak të mjegullës dhe ngricave të shfaqura ditëve të fundit si pasojë e temperaturave të ulëta.
Sipas Lushtakut, temperaturat gjatë natës kanë rënë nën zero gradë Celsius, duke vështirësuar qarkullimin në disa segmente rrugore, veçanërisht në zonat më të rrezikuara.
“Me rënien e temperaturave dhe paraqitjen e ngricave në disa segmente rrugore, kemi filluar mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në disa nga zonat më të rrezikuara brenda komunës së Skenderajt. Ekipet tona janë në terren për të garantuar qarkullim sa më të sigurt për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka ftuar pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës. /Telegrafi/








































