Pas vlerësimit të gjendjes në terren gjatë orëve të mbrëmjes, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e komunës për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut.

“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve", tha kryetari Aliu.


Ai njoftoi gjithashtu se gjatë ditës së nesërme do të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

Nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, së bashku me Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Policinë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Komuna njofton se në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar po ndërhyjnë për trajtimin e dëmeve dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Komuna e Shtimes u bën thirrje banorëve që të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës. /Telegrafi/