Komuna e Prizrenit synon mbështetjen e Francës për zhvillim të qëndrueshëm
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj të mërkurën ka takuar ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guérot, me ç’rast janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit veçanërisht me Agjencinë Franceze për Zhvillim.
Pas takimit, kryetari Totaj ka theksuar se me diplomatin francez ka biseduar rreth projekteve mjedisore dhe të zhvillimit ekonomik.
“Diskutuam mundësitë për bashkëpunim konkret mes Komunës së Prizrenit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim në Kosovë, i cili do të fokusohej në realizimin e projekteve për përmirësimin e mjedisit, ekologjisë, promovimin e energjisë së ripërtëritshme, zhvillimin ekonomik dhe projekte të tjera që do të ndikonin në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve”, ka bërë të ditur ai, raporton Telegrafi.
Ndërkaq ambasadori Guérot ka pohuar se me kryetarin Totaj ka folur për të ardhmen respektivisht projektet që ndikojnë në cilësinë e jetesës së qytetarëve.
“Gjithmonë është kënaqësi të vij në Prizren, një qytet i mrekullueshëm, me histori të pasur dhe të ardhme të ndritur. Qëllimi kryesor i takimit me kryetarin ishte që të flasim për të ardhmen dhe të shohim nëse ka potencial që Agjencia Franceze për Zhvillim të kontribuojë në ndërtimin e qytetit dhe përgatitjen e këtij vendi për të ardhmen. Ashtu siç tha edhe kryetari, Agjencia Franceze për Zhvillim është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e disa çështjeve të ndryshme, duke përfshirë këtu çështjen e mjedisit dhe projekte tjera që përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve”, ka thënë Guérot, raporton Telegrafi.
Agjencinë Franceze për Zhvillim kontribuon në përparimin ekonomik, social dhe mjedisor të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. /Telegrafi/





























