LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prizrenit reagon pasi Prokuroria ngriti aktakuzë kundër drejtoreshës së Arsimit

Komuna e Prizrenit reagon pasi Prokuroria ngriti aktakuzë kundër drejtoreshës së Arsimit

Komuna e Prizrenit ka reaguar pasi Prokuroria Themelore e kësaj komune ka ngritur aktakuzë ndaj Drejtoreshës për Arsim, Xhemile Thaçi Vezgishi për mos deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në reagim thuhet se Komuna e Prizrenit dhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi ka mësuar nëpërmjet mediave se është ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës Thaçi-Vezgishi, transmeton Telegrafi.


“Së pari, vlen të theksohet se Zyra për Komunikim Publik të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka bërë publike këtë aktakuzë nëpërmjet një komunikate për media, me një praktikë jo-etike dhe jo-profesionale, pa e dorëzuar zyrtarisht aktakuzën tek drejtoresha”, thuhet në reagim.

Më poshtë reagimi i plotë:

“Pra drejtoresha nuk ka pranuar ende zyrtarisht aktakuzën dhe është njoftuar vetëm nëpërmjet mediave.

Sipas aktakuzës që është parë tek mediat, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës për shkak se nuk e përmbush detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë pasurore ose të detyrimeve financiare për vitin paraprak 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në afatin e paraparë ligjor.

Kjo nuk qëndron, afati i fundit për dërgimin e formularit për deklarim të pasurisë ishte 19 qershor 2020, ndërkaq drejtoresha në muajin mars këtë formular ia ka dërguar organeve përkatëse komunale, kurse edhe më 18 qershor e ka ri-dërguar të njëjtin dokument tek organet përkatëse komunale, gjë që mund të verifikohet edhe nga e-mailat që janë publikuar në fotografinë e mëposhtme.

Ndërkaq, çështja tjetër për të cilën është ngritur aktakuza është mos deklarimi i të ardhurave personale të realizuara nga paga mujore që e ka marrë si zyrtare e lartë publike për periudhën raportuese 2019.

Këtu është paraqitur vetëm një lëshim teknik për shkak të mos plotësimit të një rubrike në formular, ku dihet se kjo pagë është e njohur për publikun dhe përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi, si dhe është e njëjtë për të gjithë drejtorët komunalë.

Me këtë rast, Komuna e Prizrenit fton të gjithë mediumet që të kenë kujdes në titujt e vendosur nëpër lajme, të cilët prekin drejtpërdrejtë integritetin personal dhe familjar të zyrtarëve publikë.

Ndaj drejtorëve komunalë, edhe më parë janë dorëzuar kallëzime të ndryshme penale, të cilët janë bërë mediatike, mirëpo pas hedhjes së tyre si të pabazuar, të njëjtat mediume nuk kanë qenë të interesuar që t’i publikojnë demantimet e këtyre lajmeve”. 

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër XH.TH.V. e cila në cilësinë e Drejtoreshës për Arsim në Komunën e Prizrenit si zyrtare e lartë publike nuk ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.  /Telegrafi/