Komuna e Prishtinës shënon këtë vit 34 vjetorin e fillimit të Shtëpive-Shkolla, një kapitull i rëndësishëm i historisë kombëtare që dëshmon unitetin dhe solidaritetin e popullit tonë, ku dijes i është dhënë përparësi si gur themelor i mbijetesës.

Në këtë përvjetor, Komuna kujton pronarët që hapën dyert e shtëpive të tyre, mësimdhënësit që mbajtën gjallë mësimin dhe nxënësit që u rritën me bindjen se dija sjell liri.


“Në Shtëpitë-Shkolla u mbrojt dija. Aty, në dhoma shtëpish, arsimi u shndërrua në akt qëndrese dhe në shprehje të dinjitetit kombëtar”, thuhet në njoftim.

Komuna thekson se historia e këtyre shtëpive-shkolla është dokumentuar në librin “Shtëpitë-Shkolla” nga Fadil Aliu, i biri i Mehmeti Aliut – Hertica, i cili së bashku me familjen e tij kontribuoi në ruajtjen dhe përhapjen e arsimit ndër breza.

Libri evidenton rëndësinë e qëndresës dhe rolin e edukimit në mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar. /Telegrafi/