LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës i bën me emra 1.400 rrugë e rrugica (Lista)

Komuna e Prishtinës i bën me emra 1.400 rrugë e rrugica (Lista)

Në komunën e Prishtinës më në fund, pas shumë zvarritjesh, janë bërë me emra 1.400 rrugë e rrugicave, nga 2.100 sa i ka, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas përfundimit të këtij procesi, në radhë mbetet procesi i vendosjes së numrave nëpër shtëpi dhe ndërtesa. Gjë tjetër që është ndryshuar në fushën e emërtimeve të rrugëve e rrugicave është edhe shkurtimi i emrave të shesheve, të cilat në kohën kur janë emërtuar janë zgjatur.

Një emërtim i tillë është sheshi i pavarësisë “Ibrahim Rugova”, i cili tashti është emërtuar vetëm “Ibrahim Rugova”. Sipas zyrtarëve komunalë shkurtimi i tillë është bërë për shkak të pamundësisë së futjes së tyre në sistemin digjital dhe për shkak të paraqitjes së telasheve të tjera. Megjithëse kryeqyteti do të duhej të ishte shembull për komunat e tjera të Kosovës, vendimi për këtë çështje është marrë në mbledhjen e fundit të KK-së, në fillim të javës.

Ai është marrë pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ekzekutivit të Prishtinës, të cilët vetë e kanë bërë propozimin për një gjë të tillë. Është bërë edhe pa pjesëmarrjen e këshilltarëve të partisë në pushtet, lëvizjes Vetëvendosje , ndërsa për dallim nga hera të tjera, kur bashkë me LVV-në e kanë braktisur sallën e KK-së edhe disa subjekte të tjera, ato në mbledhjen e fundit kanë qenë pjesëmarrëse dhe kanë votuar për emërtimet.


Këshilltari komunal, Bekim Gashi, ka theksuar procesi i emërtimit është bërë me pjesëmarrjen në Komisionin komunal të përfaqësuesve të ekzekutivit, subjekteve politike, gjuhëtarëve, historianëve, e të përfaqësuesve të shoqërisë civile, etj.

Nga ZMP-ja kanë bërë të ditur se Komuna e Prishtinës i ka gjithsej 2.100 rrugë dhe rrugica të digjitalizuara në zonën urbane dhe rurale.

Kryetari i Bashkësisë Lokale në Hajvali, Ilmi Vitia, ka thënë se puna më e madhe për emërtime është bërë në fshatrat periferike të kryeqytetit, ku pak rrugë kanë qenë të emërtuara dhe ku është dashur që të merren propozimet nga qytetarët, të debatohen e pastaj t’i dërgohen Komisionit për emërtim të rrugëve dhe të rrugicave.

Përmbyllja e procesit të emërtimit të rrugëve dhe të rrugicave në Komunën e Prishtinës, për Bajram Currin, përfaqësuesi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, është një lajm i mirë, pasi që, sipas tij, tashti e tutje kryeqyteti do të ketë emër dhe adresë të saktë për qytetarët e tij.

Në listën prej 1.400 emrash të rinj ka emra ideologësh, heronjsh, dëshmorësh, të aktivistësh politikë, të filozofëve, poetëve, prozatorëve, artistëve të skenës, piktorëve, etj. Po ashtu, ka emra edhe të personaliteteve kombëtare e ndërkombëtare për të gjitha periudhat historike, të ngjarjeve me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, të qyteteve etj.

Projekti i emërtimit është financuar nga Bashkimi Evropian me programin e emërtuar “Mbështetje për Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Sistemin e Unifikuar të Adresave”. Krahas miratimit të emërtimeve të rrugëve e rrugicave në Komunën e Prishtinës, Kuvendi Komunal ka miratuar edhe Rregulloren komunale për rrugët publike. Si rrugë publike komunale llogaritet rrjeti i rrugëve si rrugët lokale; rrugët në vendbanime, rrugët urbane, rrugët lidhëse dhe rrugët e pakategorizuara.

Emertimet1.pdf