Në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit mes Komunës së Malishevës dhe organizatës “Islamic Relief”, është realizuar shpërndarja e mekanizmit bujqësor për fermerët përfitues nga Komuna e Malishevës.

Pajisjet e shpërndara përfshijnë multikultivatorë, makina mbjellëse për grurë dhe misër, spërkatëse, freza, ndërsa më herët fermerët kishin përfituar edhe serra bujqësore.


Me këtë rast, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, cilësuar rëndësinë e bujqësisë duke e cilësuar atë si një nga prioritetet e Komunës së Malishevës.

“Zhvillimi i bujqësisë dhe rritja e kapaciteteve prodhuese është një nga prioritetet tona, me synimin që tregu të furnizohet me produkte vendore dhe ushqimi në sofrat tona të vijë nga toka jonë. Përkrahja e sektorit bujqësor do të vazhdojë, pasi është njëra nga degët më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të komunës sonë.” tha Kastrati.

Drejtoresha e programit në “Islamic Relief“ - Kosovë, Albulena Gashi, përgëzoi fermerët përfitues dhe falënderoi Komunën e Malishevës për bashkëpunimin.

“Jemi të vetëdijshëm që nevojat janë më të mëdha se kaq, prandaj angazhimi ynë në përkrahje të bujqësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.” u shpreh Gashi.

Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Malishevës, Sylë Dukolli, bëri të ditur se nga ky program kanë përfituar gjithsej:

  • 58 serra me sipërfaqe 50 m²,
  • 15 serra me sipërfaqe 100 m²,
  • 50 multikultivatorë,
  • 25 spërkatëse,
  • 15 makina për mbjelljen e misrit,
  • 13 makina për mbjelljen e grurit,
  • 27 freza.

Tutje, Dukolli njëkohësisht shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe punën e palodhur të zyrtarëve të "Islamic Relief" dhe zyrtarëve të Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Malishevës.