Komuna e Lipjanit ka asfaltuar rrugën “Bashkim Krasniqi” në afërsi të qendrës së qytetit, por në disa raste rruga është zgjeruar edhe në hapësira private. Banorët kanë thënë se tashmë kanë iniciuar padi në gjykatë, pasi që komuna gjatë asfaltimit kishte thirrur Policinë e Kosovës me qëllim që banorët mos ta pengojnë procesin.

Banorët kanë thënë se asfaltimi i rrugës në pronat private është bërë pa pëlqimin e tyre, andaj kjo ka qenë arsyeja e inicimit të padisë.


Në disa raste asfaltimi i rrugës është ofruar deri në hyrje të pragut të shtëpisë, andaj banorët kanë thënë se janë të rrezikuar nga qarkullimi i automjeteve.

Bashkim Tahiri është njëri prej banorëve i cili është dëmtuar më së shumti në këtë lagje, pasi që shtëpia e tij luksoze tashmë ka mbetur e pa banuar shkaku i rrugës që është ofruar në pragun e shtëpisë.

“Jemi të shqetësuar me këtë gjendje sepse sipas pikave kadastrale prona jonë është rreth tre metra në asfalt dhe ne jemi në këtë lagje shumë vite para luftës. Shtëpia ime duhet të rrënohet komplet sepse nuk mund të jetojmë me këtë rrezik pasi që veturat mund të ofrohen në pragun e shtëpisë”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu edhe një banor tjetër nga komuniteti serb, në kushte anonime i ka thënë Telegrafit se gjatë asfaltimit të rrugës komuna ka ardhur me njësitë e Policisë së Kosovës, ani pse nuk ka pasur ndonjë vendim për dhënien e pronës tonë private.

“Komuna ka ofruar një shumë prej 15 mijë euro për një ari të marrë për asfaltimin e rrugës, por ne nuk kemi pasur interes sepse asfalti është ofruar në pragun e shtëpisë dhe për këtë arsyeje nuk mund të jetojmë me këtë rrezik. Kemi iniciuar padi sepse komuna nuk ka dashur të bisedon me neve por ka vazhduar asfaltimin e rrugës pa ndonjë pëlqim. Unë mendoj se kjo ka ndodhur vetëm se jemi banor të komunitetit serb. Ne i kemi të gjitha dokumentet që asfalti është futur rreth tri metra në pronë private dhe komuna nuk ka dashur të dëgjon shqetësimet tona. Ne do ta çojmë deri në fund këtë proces dhe po besoj se e kemi mbështetjen e organeve të drejtësisë, ani pse jemi banor të komunitetit serb”, ka thënë ky banor, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë e Telegrafit.

Në anën tjetër komuna e Lipjanit prej dy ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit, lidhur me këtë çështje./Telegrafi/