Personi me çrregullime mendore B.V i njohur si "Rambo" në qytetin e Ferizajt dhe me prejardhje nga Kaçaniku, një ditë më parë është shtruar për trajtim në Institutin Special në Shtime, për të cilin ka raportuar Telegrafi.

Ndërkohë Komuna e Ferizajt të mërkurën ka njoftuar se ditëve të fundit në shumë zona të Ferizajt, janë raportuar dëme në infrastrukturën publike, po kështu dëme edhe në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të qytetarëve, të shkaktuara nga personi me iniciale B.V i njohur me nofkën "Rambo", i cili sipas njoftimit të komunës, ai vuan nga çrregullime të rënda psikike.


“Duke vlerësuar këtë gjendje me rrezik të lartë për sigurinë publike, për qytetarët dhe pasurinë private e publike, me nismën e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Qendrës për Punë Sociale Departamentin e politikave të shërbimeve sociale dhe familjare në Ministrinë e Drejtësisë, Policia e Kosovës në Ferizaj, Qendrën për Punë Sociale në Shtërpcë, Shtëpinë e Komunitetit në Ferizaj, Qendrën e Shëndetit Mendor në Ferizaj u arrit që B.V të shtrohet në Institutin Special në Shtime ku do të marr trajtimin e duhur profesional nga stafi shëndetësor i institucionit”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Ky institucion, ka falënderuar të gjithë akterët e përfshirë, institucionet e shtetit, lokale dhe qendrore për bashkëpunimin që ka rezultuar me eliminimin e një rreziku potencial për sigurinë publike në komunën tonë.

Telegrafi një ditë më parë ka raportuar se personi i njohur me nofkën “Rambo” është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Entin Special në Shtime./Telegrafi/